Bekteshi – Kasapoglu: Investitorët turq të interesuar për burimet e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

Bekteshi – Kasapoglu: Investitorët turq të interesuar për burimet e rinovueshme në Maqedoninë e Veriut

Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 18:09
Bekteshi – Kasapoglu

Investimet, inovacionet, zhvillimi teknologjik, energjetika dhe turizmi, ishin vetëm një pjesë e temave të seancës së sotme të 6-të të Komisionit të Përzier për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, me të cilin kryesuan ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi dhe ministri i Rinisë dhe Sportit të Republikës së Turqisë, Mehmet Muarem Kasapoglu.

Siç bënë të ditur Bekteshii dhe Kasapoglu në konferencën e përbashkët për shtyp pas përfundimit të seancës, në kuadër të Komisionit të Përzier janë nënshkruar një Protokoll për përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në disa fusha, si dhe një Memorandum për Mirëkuptim me Agjencia për Rini dhe Sport të Maqedonisë së Veriut, si dhe me Agjencinë për Mbështetje të Ndërmarrësisë.

Të dyja palët i intensifikojnë edhe hapat për përditësimin e Marrëveshjes për tregti të lirë.

“Në vazhdimësi, sipas numrave, bashkëpunimi po thellohet dhe me siguri kështu do të vazhdojë. Turqia është një nga investitorët më të mëdhenj në vend dhe jam i bindur se kështu do të jetë edhe më tej, por qëllimi ynë është të përmirësohen marrëveshjet për tregtisë të lirë. Në pjesën e industrisë ka pothuajse lirim të plotë dhe presim që në një kohë të shkurtër të rritet bashkëpunimi edhe në pjesën e bujqësisë, që është kërkesë e sektorit të biznesit nga të dyja palët – që bujqit tanë të kenë një treg më të madh, por edhe që tërritet konkurrenca, para së gjithash të lëndëve të para që do të vinin në vend nga Turqia”, theksoi Bekteshi.

Ai, siç tha, pret bashkëpunim edhe në sektorin e energjisë.

“Ka shumë interes nga kompanitë turke që të investojnl në burime të rinovueshme. Do të bisedojmë për furnizimin me gaz natyror që të diversifikohen zgjedhjet e furnizimit dhe ta rrisim pavarësinë në pjesën e energjisë, ndërsa kjo mund të zgjerohet edhe në Kosovë, por edhe në Serbinë Jugore dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor”, nënvizoi Bekteshi.

Sipas ministrit Kasapoglu, ka interesim nga ana e investitorëve turq për investime në burime të rinovueshme të energjisë në Maqedoninë e Veriut.

“Maqedoninë e Veriut e konsiderojmë për partner të rëndësishëm në investime. Investimet turke në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë kaluar 1.2 miliardë dollarë. Por këtu kemi hapa të rinj, veçanërisht në burimet e rinovueshme të energjisë. Jemi të gatshëm edhe ne, por edhe Maqedonia e Veriut”, tha ministri turk.

Sipas tij, energjia, industria, kultura, turizmi dhe tregtia janë përfshirë në takimin e sotëm që ka dhënë input të ri në bashkëpunim.

Siç theksoi Kasapoglu, vitin e kaluar tregtia mes dy vendeve arriti afër një miliardë dollarë, ndërsa Turqia ka realizuar eksport prej 700 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut.

Pas seancës së Komisionit të Përzier, gjatë ditës, siç është paralajmëruar në konferencën për shtyp, janë planifikuar takime afariste Maqedoni e Veriut-Turqi me biznesmenë dhe investitorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat