Osmani: Ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë

Maqedonia

Osmani: Ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë

Më: 3 maj 2023 Në ora: 22:15
Bujar Osmani

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thekson se ekziston një lidhje e fortë midis lirisë së medieve dhe sigurisë. Si organizata më e madhe rajonale e sigurisë, OSBE-ja luan rol kryesor në promovimin e paqes dhe sigurisë në 57 vendet pjesëmarrëse, dhe rrjedhimisht edhe në sigurinë e gazetarëve, njoftojnë nga MPJ.

Osmani mbajti një video-fjalim me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Medieve në ngjarjen “A mund të ketë siguri pa lirinë e medieve?”, të organizuar nga Zyra e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medieve dhe Kryesimi i OSBE-së nga Maqedonia e Veriut në New York.

“E mbështes dhe pajtohem plotësisht me moton se liria e shprehjes është shtytëse për respektimin e të gjitha të drejtave të tjera të njeriut. Dua të shtoj se liria e shprehjes është e drejtë jetike që e pasqyron nivelin e demokracisë në çdo shoqëri. Në këtë kontekst, është thelbësore të mbrohen mediet e pavarura dhe pluraliste që e paraqesin realitetin në terren në dritën e duhur dhe i informojnë qytetarët”, tha Osmani në fjalimin e tij.

Në këtë drejtim, thonë nga MPJ, motoja e Kryesimit të OSBE-së nga Maqedonisë së Veriut është “Fjala është për njerëzit”, shtoi Osmani, sepse siç tha, njerëzit meritojnë ta dinë të vërtetën.

Osmani theksoi se fatkeqësisht e vërteta, së bashku me të edhe siguria, janë rrezikuar për më shumë se një vit për shkak të agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

“Ajo shkakton padrejtësi dhe vuajtje të mëdha dhe ua shkatërron jetën dhe kushtet për jetë miliona ukrainasve. Siç thotë proverba e njohur, e vërteta është shpesh viktima e parë e luftës dhe ajo vdes në errësirë”, tha Osmani.

​Në këtë drejtim, shtojnë nga atje, Osmani bëri thirrje për veprim të përbashkët nga ana e të gjithë liderëve demokratikë, të cilët përmes veprave duhet të dëshmojnë se kërcënuesit e gazetarëve do të dënohen, dhe se gazetarët do të mbrohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat