Alternativa: Shqiptimi i dënimeve për djegien në spitalin modular në Tetovë është djegie e dytë

Maqedonia

Alternativa: Shqiptimi i dënimeve për djegien në spitalin modular në Tetovë është djegie e dytë

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 22:13
Partia Alternativa

Partia Alternativa ka reaguar në lidhje me dënimet për të akuzuarit për zjarrin në Spitalin Modular në Tetovë. Nga kjo parti thonë se edhe një herë u dëshmua se në RMV jo vetëm që kemi gjyqësor të politizuar, porse u shpërfaq në mënyrën më brutale dhe të pamëshirshme, kjo për të satën herë, se në Maqedoninë e Veriut institucionet e drejtësisë veç drejtësi nuk ndajnë.

“Një dëm katastrofal, me 14 pacientë të djegur në zjarr, të ndëshkohet me të a.q. dënime me kusht është një djegie e dytë për viktimat dhe për familjarët e tyre. Pyetja themelore që shtrohet në këtë rast është se a do ta kishim dënimin e njëjtë nëse drejtor i spitalit nuk do të ishte vëllai i ministrit të përhershëm të secilës qeveri, Fatmir Besimi? Ndërsa pyetja tjetër është se cili është roli i Aleancës për Shqiptarët, që udhëheq me resorin e Drejtësisë? Cili është kontributi i saj dhe cila është merita e saj kundrejt vendimeve të këtilla skajshmërisht të politizuara?”.

“Vendimi i sotëm e përdëfton konstatimin tonë, të deklaruar shumë herë, se Bashkimi Europian duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë alarm, sepse shpresa e vetme që edhe në Maqedoninë e Veriut të ketë drejtësi është që sistemi gjyqësor të ridefinohet plotësisht, në mënyrë që të depolitizohet dhe të vihet në shërbim të gjithë qytetarëve”, thonë nga partia e Gashit, Alternativa – Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat