BDI me akuza për harxhimet e Komunës së Tetovës, Durmishi thotë se IDEA ka gabuar në analizën e saj

Maqedonia

BDI me akuza për harxhimet e Komunës së Tetovës, Durmishi thotë se IDEA ka gabuar në analizën e saj

Më: 30 janar 2024 Në ora: 15:03
Durmishi

Një analizë e Institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike për shpenzimet e komunave për vitin 2022, ka shkaktuar reagime të mëdha në opinion. Në analizën që IDEA e publikoi dje, thuhet se Komuna e Tetovës ka harxhuar mbi 211 mijë euro për udhëtime jashtë vendit dhe shpenzime tjera ditore. Kjo analizë e tyre bëri që të reagojë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili kërkoi që IDEA të tërheq lajmin dhe të kërkojë falje publike.

Kasami në reagimin e tij në Facebook shkroi se analiza e publikuar nga IDEA nuk ka lidhje as me atë si kryetar komune, as me administratën komunale.

Kasami tha se shpenzimet që janë publikuar nga IDEA janë mjete që kanë shkuar për donacionet për projektet Erasmus nga shkollat e mesme, e që nuk janë nga buxheti i Komunës së Tetovës.

“Për vitin 2022 në buxhetin e komunës së Tetovës janë planifikuar mjete në vlerë prej 266,826 euro nga shkollat e mesme për realizimin e projekteve Erasmus. Ndërsa realizimi prej 211.031 euro është po nga i njëjti qëllim. Domethënë janë harxhime të planifikuara nga donacionet e realizuara për projektet Erasmus nga shkollat e mesme, të cilat nuk janë nga buxheti i Komunës së Tetovës. Pra Instituti në fjalë do të ishte mirë që të bëjë dallimin e donacioneve për Erasmus programet dhe më pas të publikojë të dhëna statistikore. Askush nuk mund ta njëllos punën e komunës sepse ne jemi të përkushtuar për të punuar në interes të qytetarëve”, shkroi Kasami.

Sot me reagim kanë dalë edhe nga IDEA, prej ku thonë se të dhënat që janë publikuar janë marrë nga Ministria e Financave, duke shtuar se për nga vërtetësia janë të pakontestueshme.

“Duam të sqarojmë që Instituti IDEA nuk ka bërë interpretim apo analizë të detajuar të shpenzimeve në fjalë, meqë një gjë e tillë është e pamundur në mungesë të të dhënave në web-faqen e Komunës së Tetovës apo atë të Ministrisë së Financave. Prandaj ne kemi bërë thjeshtë vizualizim të të dhënave ashtu siç janë përmbledhur nga Ministria e Financave dhe siç janë paraqitur në platformën “Pasqyra e Komunave” të cilën mund ta gjeni në web-faqen e Institutit”.

“Deklarata e Bilall Kasamit e cila e intepreton paraqitjen e të dhënave të sakta nga ana jonë si tendencë për njëllosje të personalitetit të tij është e papranueshme dhe ofenduese për Institutin IDEA. Ekipi ynë me dedikimin më të lartë profesional është i përkushtuar në rritjen e transparencës së komunave në mënyrë që tu shërbejë qytetarëve për informim rreth veprimtarisë së komunave të tyre”, thonë nga IDEA.


Në lidhje me të dhënat që u publikuan nga IDEA, BDI në Tetovë tha se Bilall Kasami komunën e përdor për interesa personale dhe partiake.

“Bilall Kasami kanë shpenzuar nga 800 euro në ditë për gjatë vitit 2022, vetëm për shpenzimet ditore dhe udhëtime. Këto nuk janë konstatime tona, por janë statistika të IDEA-s, me të dhëna zyrtare që janë publikuar nga Ministria e Financave. Këto informata dëshmojnë qëllimin e Bilall Kasamit, i cili komunën e përdor për interesa personale dhe partiake. E pyesim Bilall Kasamin se për çfarë i ka shpenzuar nga 800 euro në ditë gjatë vitit 2022. Si kjo të mos mjaftonte, muaj më parë Komuna e Tetovës u shpall si një nga komunat me transparencë më të ulët, gjë që ngrit dyshimet edhe më shumë”, thanë këshilltarët e BDI-së në Këshillin e Komunës së Tetovës.

Ndërsa sot me reagim dolën edhe nga Komuna e Tetovës. Kryetari i Këshillit të Komunës Besar Durmishi tha se IDEA ia ka huqur në analizën e tyre. Ai i publikoi harxhimet e komunës për udhëtimet jashtë vendit gjatë vitit 2022 dhe 2023.

“Udhëtimet brenda dhe jashtë vendit për kryetarin, administratën, kryetarin e këshillit të komunës dhe këshilltarët kanë kushtuar në total 11,209. Kjo shifër është paraparë në buxhetin e vitit 2022 dhe përfshin të gjitha shpenzimet e udhëtimit për përfaqësuesit e komunës”.

“Shuma që i referohet IDEA kanë të bëjnë me projektet që kanë fituar nga BE, shkollat e mesme dhe shkollat fillore, pra projektet Erasmus. Vlera e përgjithshme e këtyre është 320,733 euro, prej të cilave shkollat e mesme kanë shpenzuar 266,826 euro, ndërsa shkollat fillore janë mbështetur me 53,907 euro. Këto nuk janë mjete vetanake të komunës, por janë mjete të BE-së”, tha Durmishi.

Ai gjithashtu theksoi se në vitin 2023 harxhimet e kryetarit të komunës për udhëtime jashtë vendit kapin shifrën e 5.900 eurove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat