Tragjedia në Koçan/ Ky është vendimi që mori gjykata ndaj ish-ministrit të Ekonomisë – detajet e reja

Maqedonia

Tragjedia në Koçan/ Ky është vendimi që mori gjykata ndaj ish-ministrit të Ekonomisë – detajet e reja

Më: 16 mars 2025 Në ora: 08:51 Përditësuar në ora: 10:15 më 17.03.2025
Foto nga vendngjarja

Krejt çfarë dihet deri tani për zjarrin vdekjeprurës në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u zgjuan të hënën për ta nisur mbajtjen e një jave të gjatë të zisë kombëtare, një ditë pas zjarrit vdekjeprurës në një klub nate që tronditi vendin duke vrarë dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.

Të paktën 59 njerëz u vranë dhe 155 të tjerë u lënduan si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, në orët e hershme të së dielës, thanë autoritetet.

Autoritetet kanë premtuar hetim të shpejtë dhe të plotë, si dhe kanë arrestuar dhjetëra të dyshuar në lidhje me zjarrin, përfshirë zyrtarë qeveritarë.

Çfarë ndodhi në klubin e natës?

Zjarri në klubin e natës në Kocan shpërtheu në orët e hershme të të dielës pasi shkëndijat e mjeteve piroteknike, të përdorura për efekt ndriçimi, ia vunë flakën çatisë, thanë autoritetet.

Rreth 500 njerëz ndodheshin në klubin e natës kur zjarri shpërtheu teksa bendi ADN po përformonte.

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan se çatia prej llamarine e klubit u dogj dhe u shemb në disa vende, duke lënë të ekspozuara dhe të nxira trarët e tij të brendshëm prej druri.

Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

Mbi 155 persona janë shtruar në spitale - kryesisht në klinikat e Shkupit, qytet rreth 100 kilometra larg Koçanit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se 20 prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë.

Më shumë se 20 prej të lënduarve dhe tre të vdekur janë nën moshën 18-vjeçare, sipas ministrit të Brendshëm, Pance Toskovski.

Disa pacientë u dërguan për mjekim në Bullgari, Serbi dhe Greqi, thanë autoritetet.

Hetimi

Autoritetet maqedonase premtuan hetim të shpejtë dhe të plotë, duke thënë se po sigurohet dokumentacioni për diskotekën e djegur, si dhe për personat e dyshuar të lidhur me zjarrin.

Kryeprokurori i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, tha se pesë prokurorë janë angazhuar për ta hetuar ngjarjen.

"Për momentin, janë lëshuar urdhra për mbledhjen e provave" dhe po merren në pyetje persona, tha Kocevski.

Toskovski tha se autoritetet kanë arrestuar anëtarë të grupit muzikor, djalin e pronarit të klubit dhe zyrtarë qeveritarë.

Ai shtoi se kanë identifikuar 20 të dyshuar në lidhje me zjarrin, 15 prej të cilëve janë në mbajtje.

Në mesin e të arrestuarve është edhe menaxheri i klubit të natës “Pulse”.

Klubi i natës nuk kishte licencë të vlefshme, sipas Toskovskit.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se licenca ishte lëshuar në mënyrë të paligjshme nga Ministria e Ekonomisë dhe premtoi se përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

"Pavarësisht se kush janë, nga cila institucion, nga çfarë niveli, nga cila parti apo profesion", tha Mickoski./REL

Tragjedia në Koçan, Klekovski: 140 persona janë pranuar për mjekim, 44 janë transferuar në spitale jashtë vendit

Mbi 140 të lënduar në zjarrin në diskotekën në Koçan janë pranuar për mjekim gjatë ditës së djeshme, 90 ndodhen në spitalet në vend, ndërsa 44 janë pranuar në spitale jashtë vendit. Edhe tetë të lënduar duhet të dërgohen në Kroaci dhe në Rumani, informoi drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski.

Klekovski informon se në Qendrën klinike janë hospitalizuar 20 të lënduar, në SPQ 8 shtatori – 20, në “Shën Naumi i Ohrit” – 21, në Spitalin Klinik Ship – 20, Spitalin e përgjithshëm në Koçan dhe në Toksikologji – dy. Ka pacientë edhe në spitalet private Axhibadem sistina dhe Zhan Mitrev.

“Jashtë vendit janë dërguar 44 të lënduar edhe atë në Serbi – 17, Bullgari – 14, Turqi – nëntë dhe Greqi – katër. Numrat ndryshojnë për shkak të transferimit të të lënduarve në spitale të tjera”, theksoi Klekovski.

Klekovski paralajmëroi se mbrëmë vonë dhe sot në mëngjes do të dërgohen edhe tetë persona të lënduar jashtë vendit, nga katër në Kroaci dhe në Rumani.

Ai kujtoi se në Qendrën klinike funksionon Shtabi i krizës së Ministrisë së Shëndetësisë, në koordinim me MPB-në dhe MPJ-në.

“Gjendja e të gjithë pacientëve po monitorohet dhe procedurat e mëtutjeshme po vendosen në konsultim”, shtoi Klekovski.

Një ekip nga Akademia Mjekësore Ushtarake e Beogradit ka mbërritur mbrëmë. Ekipet mjekësore priten edhe nga Republika Çeke, Izraeli dhe Belgjika.

“Për të gjithë të lënduarit jemi duke u kujdesur sa më mirë që mundemi, theksoi drejtori i FSSH-së, Klekovski.

Flamujt në gjysmë shtizë, Maqedonia e Veriut në zi për tragjedinë në Koçan

Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshme në Koçan të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.

Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, raporton Alsat-M, transmeton Klankosova.tv.

Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë ndaluar nga policia.

Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor.

Të gjithë të lënduarit nga zjarri në Koçan të cilët janë transferuar në Bullgari janë në gjendje të rëndë shëndetësore

Gjendja e tetë personave të lënduar nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan, të cilët dje në mbrëmje u sollën në Spitalin “Pirogov” të Sofjes, është jashtëzakonisht e rëndë, tha sot në një konferencë për media, drejtori i institucionit shëndetësor, Valentin Dimitrov.

“Është shumë herët (për të thënë)”, tha ai, duke shtuar se aktualisht po kryhen teste të shumta për të vlerësuar veprimet e mëtejshme të ekipit mjekësor.

Ai njoftoi se gjatë natës ato kanë kanë pranuar 8 pacientë, 3 prej tyre janë fëmijë nën 18 vjeç dhe 5 pacientë me moshë mesatare 20-25 vjeç. Më i madhi është 31 vjeç. Tre janë të intubuar.

"Vtimat kanë lëndime në trup, gjymtyrë të sipërme dhe fytyrë, si dhe djegie të frymëmarrjes në rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes, gjë që e komplikon edhe më shumë gjendjen e tyre”, shtoi Dimitrov.

“Kjo është një tragjedi e madhe. Të gjithë kanë mbërritur në një goditje termike shumë të rëndë, në të cilën kanë kaluar 24 orë, kjo është shumë e vështirë për çdo organizëm”, tha kreu i “Pirogov”.

Gjithsej 59 persona kanë humbur jetën dhe 155 janë lënduar nga zjarri në diskotekën në Koçan

PTHP-Maqedoni: Po zhvillohen seancat për caktimin e paraburgimit për të dyshuarit në rastin e zjarrit në Koçan

Po zhvillohen seancat për caktimin e paraburgimit të të dyshuarve në rastin e zjarrit në diskotekën e Koçanit, njoftoi sot në mëngjes Prokuroria Publike.

Për rastin deri më tani janë marrë në pyetje mbi 20 persona, ndërsa për 11 Prokuroria ka nisur procedurën hetimore.

Për tetë prej tyre tashmë është bërë propozim për ndalim afatshkurtër, ndërsa tre të tjerët janë ende të shtruar në shtruar në spital dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në zjarrin e ndodhur ditën e djeshme kanë humbur jetën 59 të rinj, ndërsa mbi 140 persona janë në përkujdesje mjekësore brenda dhe jashtë vendit.

Ademi për tagjedinë në Koçan: Përgjegjësia e plotë morale, materiale dhe penale duhet të kërkohet në qeveri dhe MPB

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, pas ngjarjes tragjike në Koçan, në një konferencë për media ka kërkuar nga qeveria që të mos fajësojnë BDI-në për çdo e keqe që ndodh në vend.

Ademi tha se në ven që të shprehim solidaritet dhe të ishim të bashkuar në ditën e ngjarjes tragjike kemi parë intriga politike në ditën kjo nuk guxonte të ndodhte.

“Nga mëngjesi mediumet që janë të afërta me pushtetin kanë lëshuar spin qeveritarë se pas kësaj ngjarje qëndron ndonjë zyrtar i BDI-së. Ministri i Punëve të Brendshme, që është ministër në 14 muajt e fundit, në vend që të merr përgjegjësinë se pse ka lejuar që në 12 muajt e fundit diskoteka të punojë pa licencë, ai merret me akuza ndaj ish-pushtetit.

Përgjegjësia e plotë morale, materiale dhe penale duhet të kërkohet në vetë në qeveri dhe MPB.

E vërteta duhet të del në shesh. Partitë politikë te heqin dorë nga fajësimi i BDI-së për gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, çka ndodh sot e çfarë mund të ndodh në të ardhmen”, tha Ademi.

Nga djegia e një diskoteke në Koçan humbën jetën 59 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë janë të lënduar.

Vendosen lule në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për nder të viktimave në Koçan! Mexhiti: Jemi bashkë

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i shoqëruar nga kreu i komunës së Çairit Visar Ganiu, dhe një grup i të rinjve, ka vendosur lule në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për nder të vitkimave nga tragjedia në Koçan.

“Sonte, në Sheshin Skënderbeu, vendosëm lule në nderim të jetëve të humbura të viktimave në tragjedinë e Koçanit.

Së bashku, e ndajmë dhimbjen e solidarizohemi me njëri-tjetrin. Sonte, në gjuhë të ndryshme flasim, por njejtë i vajtojmë dhe pikëllohemi për të rinjtë dhe të rejat tona që i humbëm padrejtësisht.

Lutjet dhe mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit. Ata nuk janë vetëm në këtë dhimbje! Jemi bashkë!”, ka shkruar Mexhiti.

“Licencë e falsifikuar. Do të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër” – Mickoski gishtin e drejton nga ish udhëheqësia e Ministrisë së Ekonomisë

Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se kompania për diskotekën “Puls” ka pasur dy licenca, kurse njëra ka qenë e falsifikuar dhe në bazë të saj ka vazhduar të veprojë si diskotekë.

Në konferencën për media, Mickoski premtoi se do të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër.

“Kam dyshime se kompania ka licencë të falsifikuar për mito, nga udhëheqësia e kaluar e Ministrisë së Ekonomisë”, tha Mickoski.

Ai shtoi:
“Duhet të ketë përgjegjësi me emër dhe mbiemër”.

Më tej, i pyetur në mënyrë shtesë, ai gishtin e drejton te ish sekretari shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, Razmena Çekiq.

Më pas ai tha se ky rast nuk është i vetmi.

“Jo, gënjeheni. Ka 100 raste të tilla”.

Mickoski nuk jep dorëheqje: Të gjithë e dinë, Qeveria nuk ka faj

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se nuk do të japë dorëheqje, pasi siç tha, “të gjithë e dinë se Qeveria nuk ka faj”.

“Është i nevojshëm demonstrim i përgjegjësisë morale. Shumica e di se Qeveria nuk ka faj në këtë punë”, tha Mickoski.

Në paraqitjen para mediave për tragjedinë në Koçan, Mickoski tha se nuk do të lejojë të fitojë sistemi i korruptuar.

“Mua nuk më duhet pushtet me çdo çmim. Unë këtu jam për të demonstruar shembull personal. Atëherë, do të lejojmë që të fitojë sistemi i korruptuar? Sigurisht se jo”, tha Mickoski

“Motra ime ka humbur, nuk po e gjejmë në asnjë spital”/ Të mbijetuarit e tragjedisë në Koçan rrëfejnë tmerrin e përjetuar: Trupa të djegur…

Situatë e tensionuar është krijuar në oborrin e spitalit të Koçanit, ku familjarët kërkojnë me çdo kush të marrin trupat e të afërmve të tyre.

Dhimbje, trishtim, frikë dhe lot në sytë e familjarëve që prisnin në oborrin e spitalit për të marrë informacione për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre.

“Të gjithë filluan të vrapojnë drejt daljes. Të gjithë shihnin si ta shpëtojnë jetën. Askush nuk ishte i vetëdijshëm, trupa të djegur. Të gjithë ishin nën stres. Motra ime ka humbur, nuk mund ta gjejmë në asnjë spital…. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe njerëzit shkelën mbi mua”, tha një e mbijetuar.

Pjesë nga intervista me të mbijetuarën:

E mbijetuara: Ndodhi me shpejtësi, nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital.. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar.

A ishit të ftuar?

E mbijetuara: Për fat të keq po.

A tërhoqët dikën me vete? A ndihmuat apo ju ndihmuan?

E mbijetuara: Asgjë nuk mbaj mend, vetëm e di se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di.

-A e dini se në çfarë kohe ka ndodhur?

E mbijetuara: Mendoj se rreth orës 3 e gjysmë, ashtu disi, gjithçka ndodhi me shpejtësi.

A jeni të lënduar nga turmat apo nga djegiet?

E mbijetuara: Jo, nga djegiet.

Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi.

“I biri i një mikut tim punonte sigurim, u helmua me monoksid, merrte pjesë në tërheqjen, thotë se ishte e tmerrshme, do të ju lutem kaq, nuk mundem më tepër”, u shpreh një familjar.

Ndihmë ofroi edhe Kryqi i Kuq. Kryetari, Sait Saiti tha se aktualisht nuk ka nevojë për dhurim të gjakut për pacientët.

“Sa i përket gjakut, për momentin nuk kemi nevojë, rezervat e sistemit shëndetësorë janë të mjaftueshme, nëse ka nevojë eventualisht këtu jemi. Mirëpo për momentin nuk ka nevojë të mobilizohemi për një aktivitet të tillë”, tha Sait Sati, Kryqi i Kuq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat