​Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia

​Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut

Më: 2 nëntor 2025 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 12:05 më 02.11.2025
Foto ilustrim

KSHZ: Jehona e votuesve deri në ora 11:00 është 10,10%

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi zgjedhor në mbarë vendin po zhvillohet pa pengesa dhe se jehona e votuesve deri në ora 11:00 është 10,10%.

Votime sot ka në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Ndërsa, në tre vendvotime në Shutkë (Shuto Orizare) do të ketë rivotime për këshilltarë.

Nga KSHZ thanë se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë për parregullësi apo pengesa në procesin zgjedhor, teksa të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë.

MPB: Janë regjistruar dhjetë shkelje të heshtjes zgjedhore

Ministria e Punëve të Brendshme informoi se gjatë heshtjes parazgjedhore, nga 01.11.2025 deri në orën 07:00 të datës 02.11.2025, pra deri në hapjen e vendvotimeve, u regjistruan 10 raportime për shkelje të heshtjes zgjedhore, prej të cilave nga tre në zonën e SPB Shkup dhe SPB Ohër, dy në zonën e SPB Shtip dhe nga një në zonën e SPB Tetovë dhe SPB Manastir.

Përveç kësaj, gjatë heshtjes zgjedhore u regjistruan 19 postime në rrjetet sociale, që i referoheshin një thirrjeje për të votuar për kandidatë të caktuar, si dhe videove dhe fotografive të publikuara nga aktivitetet partiake.

Lidhur me votimin, më 01.11.2025, u regjistrua një ngjarje me ç’rast është fotografuar një kuti me fletëvotime në shkollën fillore “26 Korriku” në komunën Shuto Orizarë, gjatë së cilës u ndalua një person dhe po merren masa për zbardhjen e ngjarjes.

Ndryshe gjatë ditës së djeshme në të gjitha zonat, votimi i personave të sëmurë dhe të pafuqishëm dhe të burgosurve u zhvillua pa ndërprerje të procesit të votimit.

Avokati i Popullit me linjë falas të telefonit për shkeljet zgjedhore

Në zyrën e Avokatit të Popullit sot prej orës 7:00 deri ora 19:00, do të funksionojë linja falas e telefonit: 0800-54321, ku qytetarët do të mund të paraqesin çfarëdo shkelje të së drejtës zgjedhore.

Siç njoftoi zyra e Ombudsmanit, (përveç zyrës kryesore në Shkup) do të jenë gjithashtu të hapura edhe zyrat rajonale të Avokatit të Popullit në: Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Shtip, Strumicë dhe Tetovë, me qëllim që qytetarëve t’u ndihmohet në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre zgjedhore.

“Krahas linjës pa pagesë, qytetarët do të mund të telefonojnë në numrat e mëposhtëm të telefonit për të mbrojtur të drejtat e tyre: Tetovë: 044 344-082, Kërçovë: 045 228-586, Manastir: 047 242-310 dhe Kumanovë: 031 431-488, Strumicë 034 329-996 dhe Shtip 032 389-700”, qëndron në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Nga atje theksojnë se Avokati i popullit, të drejtat e qytetarëve do t’i mbrojë me ndërmarrjen e masave urgjente për veprim efektiv nga ana e organeve kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet tjera, të cilat janë të obliguara t’u sigurojnë mbrojtje të së drejtave të tyre të garantuara.

“Edhe me këtë rast, Avokati i Popullit potencoi se e drejta e votës është e garantuar me kushtetutë si e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë dhe realizohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë dhe askush nuk mund të thirret në përgjegjësi për realizimin e kësaj të drejte, për të cilin shkak jo rastësishëm shkelja e lirisë dhe përcaktimit të votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, janë vepra të dënueshme. Gjithashtu, Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë palëve të interesuara në procesin zgjedhor të respektojnë protokollet shëndetësore, të përcaktuara për mënyrën e votimit.

Për shkak të mos arritjes së censusit, sot nuk zhvillohen votime në katër komuna

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale nuk mbahet sot në katër komuna si: Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë.

Arsyeja është jehona e pamjaftueshme e votuesve në raundin e parë, prandaj do të zhvillohet një procedurë e re zgjedhore brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve lokale 2025.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në këto komuna nuk është arritur pjesëmarrja ligjore prej të paktën një të tretës (33.33%) e votuesve të regjistruar – kusht që zgjedhjet të konsiderohen të suksesshme. Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31%, në Vrapçisht – 25.18%, në Mavrovë dhe Rostushë – 30.31% dhe në Qendër Zhupë – 21.49%.

Konform nenit 132 paragrafi (2) të Kodit zgjedhor, në raste të tilla e gjithë procedura zgjedhore përsëritet dhe zgjedhjet e përsëritura mbahen brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare, pa u kërkuar përsëri pragu prej një të tretës, siç parashikohet në nenin 132-a.

Qytetarët të cilët kanë ankesa për procesin e votimit, mund t'i drejtohen KKZ-së dhe KSHZ-së

Maqedonia e Veriut sot po zhvillon rethin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku qytetarët votojnë për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa në Shuto Orizare po mbahet rivotim për këshilltarë në tre vendvotime.

Në këtë raund kanë të drejtë vote 1.013.375 qytetarë, prej tyre 474.304 në Qytetin e Shkupit.

Një ditë më parë, sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të drejtën e votës e ushtruan 4.826 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, të burgosurit dhe personat në arrest shtëpiak në komunat ku zgjidhen kryetarë.

Të drejtë vote ka çdo person që është i regjistruar në listën zgjedhore dhe posedon letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme. Votimi bëhet vetëm personalisht.

Sipas Kodit Zgjedhor, çdo parti, koalicion apo kandidat mund të paraqesë ankesë në KSHZ për parregullsi në procesin e votimit, numërimit apo shpalljes së rezultateve brenda 48 orëve nga përfundimi i votimit.

KSHZ është e detyruar të shqyrtojë të gjitha faktet dhe të vendosë brenda 72 orëve nga pranimi i ankesës.

Nëse pala nuk është e kënaqur me vendimin e KSHZ-së, mund të paraqesë padi në Gjykatën Administrative brenda 24 orëve, e cila duhet të marrë vendim brenda 48 orëve.

Çdo qytetar që beson se i është shkelur e drejta e votës mund të: paraqesë ankesë në Komisionin Komunal Zgjedhor brenda 12 orëve, ose në rastet e votimit jashtë vendit, t’i drejtohet KSHZ-së përmes emailit ose personalisht brenda 24 orëve.

Organi i shkallës së parë duhet të vendosë brenda 2 orëve nga pranimi i ankesës.Kundër këtij vendimi, qytetari mund të parashtrojë padi në Gjykatën Administrative brenda 12 orëve, e cila vendos brenda 2 orëve nga pranimi i padisë.

Në çdo fazë të procesit zgjedhor, çdo votues që konsideron se i është cenuar e drejta e tij, mund të paraqesë ankesë në KSHZ brenda 48 orëve, ndërsa kjo e fundit duhet të marrë vendim brenda 4 orëve.

Kujtojmë se votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në ora 19:00 në gjithsej 1.771 vendvotime në të gjithë vendin.

Zgjedhjet/ Identifikim i dyfishtë në vendvotim me pasaportë ose letërnjoftim

Aparatet biometrike të identifikimit në zgjedhje, të zbatuara për herë të parë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, do të përdoren edhe gjatë votimit të sotëm.

Votimi si proces, nuk ndryshon nga zgjedhjet e kaluara. Ai bëhet personalisht, dhe votuesit do të jenë në gjendje të votojnë vetëm një herë, duke u identifikuar me kartë identiteti ose pasaportë. Personat, dokumentet e të cilëve kanë skaduar nga dita e shpalljes së zgjedhjeve e deri më 19 tetor, gjithashtu do të jenë në gjendje të votojnë. Para se të marrin fletën e tyre të votimit, votuesit do të kontrollohen me pajisje identifikimi biometrike me gishtin e madh të dorës së djathtë.

Votimi bëhet në mënyrë të pavarur, fshehurazi pas kabinës me stilolaps të kaltër. Fletëvotim i vlefshëm llogaritet vetëm ai në të cilin në mënyrë të qartë është rrethuar numri i kandidatit ose listës së kandidatëve, gjegjësisht, pjesëmarrësit në zgjedhje. Fletëvotimet për kryetarë komune dhe ata për këshilltarë vendosen në kuti të posaçme.

Votimi në grup, votimi familjar ose me dikë tjetër, fotografimi në qendrën e votimit dhe mbajtja e armëve në qendrën e votimit janë të ndaluara.

Votuesit që kanë nevojë për ndihmë gjatë votimit, do t’i ofrohet megjithatë është e patjetërsueshme që ata duhet ta shprehin vetë vullnetin e tyre. 

​Sot raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut

Të dielën në Maqedoninë e Veriut mbahet raundi i dytë për kryetarë në 33 komuna, në të cilat nuk kishte fitues më 19 tetor.

Të drejtë vote kanë 1 milion e 13 mijë e 375 qytetarë prej tyre 474.394 në Shkup. Në rrethin e dytë do të votohet në gjithsej 33 komuna përfshirë Qytetin e Shkupit. Në tri vendvotime në Shuto Orizare do të ketë rivotim për këshilltarë komunalë, pasi Gjykata Administrative i shfuqizoi rezultatet pas parregullsive të konstatuara.

Në katër komuna ku nuk u arrit census në raundin e parë, do të ketë përsëritje të zgjedhjeve, 60 ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga zgjedhjet lokale. Bëhet fjalë për Gostivarin, Vrapçishte, Qendra Zhupa dhe Mavrovë- Rostusha.

Zyra e Avokatit të Popullit gjithashtu gjatë procesit të votimit, nga ora 07 deri në ora 19 do të ketë të hapur linjë telefonike falas për paraqitjen e shkeljes të së drejtës zgjedhore. Qytetarët këtë mund ta bëjnë në numrin e telefonit: 0800-54321.

Votimet do të vëzhgohen nga 1569 vëzhgues, 904 vendorë dhe 651 ndërkombëtarë, ndërsa për raportim janë akredituar dhe 14 gazetarë të huaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat