Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Zoran Dimitrovski, në margjinat e sesionit të 70-të të Komisionit për Statusin e Grave të OKB-së në New York, zhvilloi takim me Daniel Silver, nënkryetar i American Jewish Committee.
Në takim u konfirmua bashkëpunimi i fortë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe American Jewish Committee, si dhe përkushtimi i përbashkët që dialogu dhe partneriteti të vazhdojnë me një dinamikë edhe më të madhe në një periudhë kur komuniteti euroatlantik përballet me sfida serioze të sigurisë dhe gjeopolitike, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të veprojë si partner stabil dhe i parashikueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në kushtet e tensioneve globale të shtuara dhe përpjekjeve për destabilizim në rajon.
Dimitrovski nënvizoi përkushtimin e shtetit për mbrojtjen dhe zhvillimin e Komunitetit Hebre në Maqedoni, si dhe për luftën aktive kundër të gjitha formave të intolerancës, shovinizmit, gjuhës së urrejtjes dhe antisemitizmit.
Në bisedë u theksua gjithashtu rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u vlerësuar se vendi mbetet një aleat i besueshëm në kuadër të arkitekturës euroatlantike të sigurisë.
Sa i përket zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme, bashkëbiseduesit shprehën shqetësim serioz për sulmet iraniane ndaj shteteve sovrane dhe kërcënimet ndaj popullsisë civile në rajon. Sipas tyre, veprime të tilla përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe rrisin më tej paqëndrueshmërinë në një nga rajonet më të ndjeshme në botë, thuhet në njoftimin e ministrisë.