Shkup – Lideri i Lëvizjes ZNAM, njëri nga partnerët në koalicionin qeverisës të Maqedonisë së Veriut, Maksim Dimitrievski, ka paralajmëruar se partia e tij do të largohet nga Qeveria nëse lejohet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Në një intervistë për televizionin Sitel të enjten në mbrëmje, Dimitrievski, i cili është njëkohësisht kryetar i Komunës së Kumanovës, tha se ZNAM nuk do ta pranojë që ky provim të mbahet në asnjë gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Nëse Qeveria merr vendim tjetër, sipas tij, partia është e gatshme të dalë nga koalicioni.
Dimitrievski pretendoi se kërkesa që provimi të jepet edhe shqip bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias të vitit 2019 për përdorimin e gjuhëve në sistemin gjyqësor. Ai shtoi se pas saj qëndrojnë synime më të gjera politike dhe se në vend ka forca që duan që shteti një ditë të kthehet nga republikë në konfederatë.
Megjithatë, lideri i ZNAM-it la hapësirë për bisedime. Ai tha se kryeministri Hristijan Mickoski e njeh qëndrimin e partisë së tij dhe se në takimin e radhës me të do të kërkojë një takim të liderëve të koalicionit, ku secila palë t'i përcaktojë hapur vijat e kuqe për sistemin gjyqësor.
Në të njëjtën intervistë, Dimitrievski përsëriti se ZNAM mbetet pas propozimit që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi me efekt të shtyrë. Ai theksoi se Shkupi nuk duhet të bëjë lëshime të reja pa hapa reciprokë nga Bullgaria.
ASH dhe LSDM: Skenar për zgjedhje të parakohshme
Deklarata shkaktoi reagime të ashpra të shtunën. Aleanca për Shqiptarët (ASH) e quajti Dimitrievskin "patriot me bateri". Sipas ASH-së, ai po e përdor çështjen e provimit për t'u paraqitur si patriot i madh në një fushatë të mundshme parazgjedhore, pasi kartat e tjera politike i ka harxhuar.
Edhe opozita maqedonase, LSDM, e sheh kërcënimin si lojë politike. Sipas saj, me temën e provimit po krijohet përshtypja e një përplasjeje brenda koalicionit, e cila do t'i shërbente Mickoskit si alibi për zgjedhje të parakohshme parlamentare. LSDM shtoi se kjo po ndodh në një kohë kur afera e Alta Bankës po trondit qytetarët dhe financat publike.
ZNAM iu përgjigj kritikave me një komunikatë me shkrim. Aty thuhet se patriotizmi nuk matet me fyerje, por me vendime dhe përgjegjësi, dhe se provimi duhet të jepet në maqedonisht, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.
Nga radhët e VLEN-it, partnerit shqiptar në Qeveri, reagoi deputeti Adnan Azizi. Ai tha se provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, pavarësisht qëndrimit të ZNAM-it, sepse "për të drejtat e shqiptarëve pyetet VLEN-i e jo ZNAM-i".
Dy vite pritje për studentët shqiptarë
Studentët shqiptarë të juridikut kërkojnë prej rreth dy vitesh që provimi i jurisprudencës, i cili është kusht për t'u bërë gjyqtar, prokuror apo avokat, të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe. Me një peticion, 385 studentë nga tre fakultete juridike në Maqedoninë e Veriut u kërkuan institucioneve ta mundësojnë këtë. Ata kanë protestuar deri tani dy herë.
Ministria e Drejtësisë më parë e ka refuzuar kërkesën, me arsyetimin se provimi shërben edhe si provë e njohjes aktive të gjuhës maqedonase. Studentët dhe ekspertët juridikë shqiptarë kundërshtojnë se shqipja është gjuhë zyrtare sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe se provimi duhet të matë njohuritë juridike, jo ato gjuhësore.
Javën e kaluar, ASH u kërkoi ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe VLEN-it ta tërheqin propozimin aktual, të cilin e quajti "zgjidhje të përgjysmuar", dhe ta mundësojnë provimin tërësisht në gjuhën shqipe. Sipas mediave shqipe në Maqedoninë e Veriut, propozimi i ministrisë pritet t'i dërgohet fillimisht Komisionit të Venecias për mendim.
Ultimatumi i ZNAM-it vjen në një moment të vështirë për Qeverinë e Mickoskit. Ajo po përballet njëkohësisht me pasojat e krizës së Alta Bankës dhe me ngërçin me Bullgarinë për ndryshimet kushtetuese, që janë kusht për vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian.