Përfaqësuesi i Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, ka reaguar ndaj kërkesës së fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e akuzuar këtë parti se nuk e zgjidhi këtë çështje gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.
Përmes një reagimi publik, Fazliu ka rikujtuar periudhën kur BDI-ja ishte pjesë e qeverisë, duke vënë në pikëpyetje arsyet pse çështja e provimit të jurisprudencës në shqip nuk u trajtua dhe nuk u zgjidh nga përfaqësuesit e saj institucionalë.
Ai ka përmendur edhe përgjimet e publikuara, duke ironizuar me faktin se në to nuk është dëgjuar ndonjëherë që lideri i BDI-së të ketë pyetur ministrat e drejtësisë për këtë çështje.
Sipas tij, BDI-ja kishte mundësi të mjaftueshme për ta ngritur dhe zgjidhur këtë çështje, por nuk e bëri një gjë të tillë.
“20 vite e kusur në qeveri. Takime përditë, mbledhje e telefonata pa fund. E megjithatë, çështja e provimit të jurisprudencës në shqip mbeti e pazgjidhur. E sot, me një letër të gjatë, kërkon që provimi të jepet në gjuhën shqipe”, ka theksuar ai.
Fazliu ka bërë të qartë se mbështet mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por ka kritikuar BDI-në për ngritjen e kësaj kërkese pas një periudhe kaq të gjatë në pushtet.
Në fund, përfaqësuesi i Lëvizjes Arbëria i ka bërë thirrje BDI-së që të reflektojë për moszgjidhjen e kësaj çështjeje gjatë kohës sa ishte në pushtet.