Shasivari njofton për reformën në drejtësi: Maqedonia drejt Kodit të ri Penal

Maqedonia

Shasivari njofton për reformën në drejtësi: Maqedonia drejt Kodit të ri Penal

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 19:55
Jeton Shasivari

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka bërë të ditur se vendi është në prag të miratimit të një Kodi të ri Penal, pas pothuajse tri dekadash.

Përmes një postimi, Shasivari ka njoftuar se ka nisur seria e katër debateve profesionale, të cilat synojnë të kontribuojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe hartimin e kodit të ri.

Ai ka theksuar se ky proces përbën një hap të rëndësishëm për shtetin, institucionet dhe qytetarët, duke synuar siguri më të madhe juridike, përcaktim më të qartë të përgjegjësisë penale dhe mbrojtje më efikase të interesit publik.

Sipas tij, Kodi i ri Penal duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe t'u përgjigjet sfidave bashkëkohore, përmes rregullave të qarta dhe koherente.

“Detyra jonë është të hartojmë një kod që do t'u përgjigjet sfidave bashkëkohore, do të sigurojë rregulla të qarta dhe koherente, si dhe do të forcojë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Shasivari.

Ai ka vlerësuar se Kodi Penal është një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës, ndërsa fuqia e tij matet me qartësinë e normave, drejtësinë e sanksioneve dhe efikasitetin e zbatimit.

Ministri ka theksuar se debatet profesionale paraqesin mundësi për kontribut të përbashkët në hartimin e një zgjidhjeje ligjore me rëndësi afatgjatë për shoqërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat