Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në një organizim të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.
Përmes një postimi, Mexhiti ka vlerësuar rëndësinë e kësaj date për historinë kombëtare shqiptare, duke theksuar afrimin e bashkëpunimin gjithnjë e më të madh ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai ka veçuar projektin One Stop Shop, i cili lehtëson lëvizjen ndërmjet dy vendeve, duke thënë se ky bashkëpunim duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Ky 28 Nëntor na gjen më afër Shqipërisë se kurrë, me lehtësimin e lëvizjes përmes projektit One Stop Shop dhe me një bashkëpunim që po merr gjithnjë e më shumë përmbajtje”, ka shkruar Mexhiti.
Ai gjithashtu ka përmendur 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në sheshin e Shkupit, duke e cilësuar atë si një simbol që lidh historinë kombëtare shqiptare me hapësirën publike të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.
Në fund, Mexhiti ka uruar qytetarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.