Ahmeti i kërkon Shasivarit provimin e jurisprudencës në shqip, Kasami: BDI është dyftyrëshe

Maqedonia

Ahmeti i kërkon Shasivarit provimin e jurisprudencës në shqip, Kasami: BDI është dyftyrëshe

Nga: Bota sot Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 08:57
Ali Ahmeti, Bilall Kasami

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka ndezur një përplasje të re mes dy partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, BDI-së dhe VLEN-it.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, i ka dërguar një letër të hapur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, nga radhët e VLEN-it. Ahmeti i kërkon që të zbatojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe të mundësojë dhënien e provimit edhe në gjuhën shqipe.

Në letër, Ahmeti argumenton se ligji, i cili është në fuqi që nga viti 2019, e rregullon qartë këtë çështje dhe ka përparësi ndaj ligjeve të tjera. Sipas tij, kjo vlen edhe për Komisionin për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës pranë Ministrisë së Drejtësisë. Njohja e gjuhës maqedonase, shton ai, mund të verifikohet me certifikim të veçantë gjuhësor, por nuk mund të përdoret si pengesë.

"Ligji për Përdorimin e Gjuhëve nuk është çështje e vullnetit të një ministri", shkruan Ahmeti. Ai e kundërshton edhe pohimin e disa përfaqësuesve të VLEN-it se gjuha e gjykatave është vetëm maqedonishtja.

Kasami: BDI nuk e rregulloi kur ishte në pushtet

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, i ftuar në emisionin "Verdict" në TVM2, tha se gjuha shqipe nuk ka status zyrtar në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, Ligji për përdorimin e gjuhëve vetëm e zgjeron përdorimin e saj në fusha të caktuara.

Kasami tha se VLEN-i e ka mbështetur këtë ligj përmes deputetëve të vet, por qëndrimin e BDI-së për provimin e jurisprudencës e cilësoi dyftyrësh. Sipas tij, nëse BDI-ja do ta kishte rregulluar çështjen e gjuhës shqipe në Kushtetutë gjatë viteve në pushtet, provimi sot do të mbahej pa problem edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë ka refuzuar më herët kërkesën e qindra studentëve shqiptarë të juridikut. Arsyetimi ishte se provimi shërben edhe për të verifikuar njohjen e gjuhës maqedonase. Studentët kanë paralajmëruar se do të rikthehen në protesta nëse nuk gjendet zgjidhje.

Çështja ka tensionuar edhe koalicionin qeverisës. Lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, ka kërcënuar se do të largohet nga Qeveria nëse provimi lejohet në gjuhën shqipe.

Ali Ahmeti pritet të qëndrojë këto ditë në Zvicër, ku më 28 Nëntor do të takohet me bashkatdhetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat