Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me deklarimet e përfaqësuesit të VLEN-it për mundësinë e mbajtjes së provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Në reagimin e saj, BDI-ja thotë se gjysmëkryetari i VLEN-it, në konferencën e sotme për media, konfirmoi atë që kjo parti e ka theksuar vazhdimisht, se Ligji për përdorimin e gjuhëve mundëson dhënien e provimeve profesionale në gjuhën shqipe.
Sipas BDI-së, nëse provimet profesionale mund të mbahen në shqip, duke u bazuar në Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe Amendamentin V të Kushtetutës, atëherë e njëjta bazë ligjore duhet të vlejë edhe për provimin e jurisprudencës dhe provimet e tjera shtetërore.
BDI-ja pretendon se problemi nuk qëndron te mungesa e bazës ligjore, por te mungesa e vullnetit për zbatimin e saj nga qeveria.
Në reagim përmendet edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i cili, sipas BDI-së, ka konstatuar se Ligji për përdorimin e gjuhëve e rregullon këtë çështje dhe se dispozitat e tij duhet të zbatohen.
“Qëndrimi ynë është i qartë: Ligji ekziston, ligji e garanton të drejtën dhe ai obligon. Detyra e qeverisë dhe institucioneve është që ta zbatojnë ligjin”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Në fund, kjo parti paralajmëron përgjegjësi juridike dhe kombëtare për institucionet në rast të moszbatimit të ligjit.