Shaban Bobaj, ishte ikonë e shqiptarisë, një pishtarë dhe luftëtar i paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës..!

Opinione

Shaban Bobaj, ishte ikonë e shqiptarisë, një pishtarë dhe luftëtar i paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 15:14
Shaban Bobaj

I lindur në Korishë të Prizrenit para 69 viteve, Shaban Bobaj, qysh i ri u detyrua t’i merrte rrugët e kurbetit dhe ta lëshonte vendlindjen, sepse atë dhe familjen e tij e përndiqte shërbimi famëkeq i UDB-së jugosllave, për t’u vendosur në Gjermani në vitet e 70-ta, ku edhe do jeton katër dekada si i strehuar politik pa mundur që ta vizitojë familjen dhe vendlindjen deri në çlirimin e Kosovës me 10 qershor 1999.

Veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare në mërgim, Shabani do e vazhdon bashkë me atdhetarët e kohës, Emin Fazliun-Kastriotin, Hafiz Gagicën, Remzi Ademin (hero i Kosovës), me Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, Mejdi Rexhajn, Murat Kryeziun, Tefik Kallabën, Xhafer Lecin, Nami Ramadanin, Ajet Mehmetin, Nezir Fejzën, Rifat Jasharin, Ruzhdi Veselin, Selim Kocën si dhe shumë e shumë aktivist tjerë pas vitit 1990, kur me themelimin e LDK-së në Gjermani do zgjidhet anëtar i kryesisë së saj bashkë me Sali Çekajn, por më pas edhe kryetar i Nëndegës së LDK-së për landin Baden Wüttemberg për disa mandate.

Të flasësh për atdhetarin, patriotin dhe aktivistin e madh të çështjes kombëtare, Shaban Bobajn, i cili dje u nda nga jeta në një spital afër Shtutgartit, duke na lënë të pikëlluar thellë në shpirt për ikjen e tij në amshim, nuk ia del dot ta përfshinë tërë gamën e punës dhe aktivitetit të tij politik dhe kombëtar as në një monografi, e lere më në një shkrim, sepse qëkur iu bashkua Lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës, në veçanti për aktivitetin e tij në periudhën pas formimit të Degës së LDK-së në Gjermani, kontributit i tij për çlirimin e Kosovës ka qenë i pandërprerë si dhe i përmasave të jashtëzakonshme, duke filluar nga aktiviteti i tij për organizimin dhe bashkimin e mërgatës tonë në një front të përbashkët veprimi, duke organizuar me qindra demonstrata, qoftë si kryetar Nëndege me 74 Aktive të saj, qoftë për nga kontributi i tij personal, siç janë ndihmat e mëdha financiare si dhe ato materiale për Kosovën në periudhën më të vështirë të saj nën okupimin barbar të regjimit kriminal të Serbisë, 1989-99, duke mos pushuar natë as ditë vetëm që ta shoh Kosovën e lirë dhe të pavarur!

Image
Autori i shkrimit me Shaban Bobaj

Shabani kurrë nuk iu është ndarë aktiviteteve kombëtare, ishte ndër patriotët më të shquar dhe ndër veprimtarët më aktiv shqiptar që kam takuar në Gjermani, duke dhënë kontribut tejet të madh për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, pa u ndalur kurrë së punuari për të mirën e atdheut të tij. Ishte njeri i urtë, bujarë, shumë i sinqertë, i dashur dhe që kishte sjellje shumë njerëzore me miq, shokë dhe me gjithë bashkatdhetarët tanë. Me një fjalë, ishte dhe mbeti një atdhetar i madh dhe i pashoq nga i cili merrnim shembull të gjithë se si duhet punuar për atdhe, se si duhet dashur Kosovën dhe popullin shqiptar, puna dhe veprimtaria e të cilit, pa dyshim, se do iu bënë dritë gjeneratave të reja që do vijnë më pas, vepra e të cilit nuk do vdes kurrë..!

Qoftë e përjetshme lavdia si dhe kujtimi për jetën dhe veprën e Shaban Bobajt!

Image
Shabani me mbesë dhe me Rifat Jasharin
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat