A do kishte qenë zhvendosja e serbëve nga Kosova, zgjidhje e përhershme e konfliktit historik mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan?

Opinione

A do kishte qenë zhvendosja e serbëve nga Kosova, zgjidhje e përhershme e konfliktit historik mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 5 shtator 2024 Në ora: 19:49
Rexhep Elezaj

Shkëmbimi i popullsisë mes shteteve fqinje nuk është fenomen i ri në Evropë dhe botë, ngase raste të tilla ka pasur në shekullin 20-të në Ballkan, në vitin 1923 mes Turqisë dhe Greqisë, por edhe në Azi në mes Indisë dhe Pakistanit, ku ka ndodhur një shkëmbim i madh i popullsisë, menjëherë pas ndarjes së tyre në dy shtete, në vitin 1947, ku rreth 7.2 milionë myslimanë kaluan në Pakistan, dhe 7.1 milionë Hindus dhe Sikë migruan në Indi, si dhe raste tjera që nuk ka nevojë t’i përmendim.

Pra, ideja e shkëmbimit të popullsive mes shteteve nuk është e re, as diç e pamundshme, sepse në këtë mënyrë janë zgjidhur konfliktet si dhe luftërat e mëdha civile në botë mes popujve të ndryshëm, duke evituar në këtë mënyrë gjakderdhje të reja, siç ishte rasti i cekur më lartë mes Indisë dhe Pakistanit, ku para se të ndaheshin me dekada të tëra vriteshin dhe masakroheshin mes vete etnitë e shumta brenda Komonveltes Britanike, e që ndarja territoriale dhe shkëmbimi i popullsisë dukej të ishte zgjidhja më e mirë për gjithë popujt që jetonin në konflikte të vazhdueshme për territore si dhe për pavarësi kombëtare.

Në Serbi, ideja për zgjidhjen e problemit të Kosovës përmes shkëmbimit të popullsisë, duket se tani është aktualizuar si rezultat i rrethanave, krejtësisht të pamundura, që këtë “problem” serbët ta zgjedhin me luftë, kuptohet për shkak të prezencës së forcave të NATO-s, KFOR-it në Kosovë, duke iniciuar kështu brenda qarqeve akademike dhe politike në Serbi, idenë për zhvendosje të serbëve nga Kosova, mbase si njëra ndër mundësitë reale, ku shqiptarët nga Serbia jugore-qendrore do të zhvendoseshin në Kosovë, ndërsa serbët nga krejt Kosova në Serbi, ide kjo e cila jo pak e ka tronditur skenën politike në të dyja shtetet.

Pra, ditëve të fundit, siç jemi dëshmitarë, vazhdojnë të vijnë sinjale më të shpeshta, se qarqe të caktuara në Serbi këtë ide e shohin si një zgjidhje të mirë për serbët si popull, po qese një shkëmbim i tillë bëhet mbi baza vullnetare, por pa këmbim territoresh, e që do ishte edhe një zgjidhje e mundshme mes dy popujve. Këtu duhet përmendur edhe vizitën të dielën e kaluar që znj. Sonia Biserko dhe z. Nenad Çanak i bën kryeministrit Kurti në zyrën e tij në qeverinë e Kosovës, pikërisht për ta njoftuar më gjerësisht rreth kësaj ideje e cila po qarkullon në Serbi.

Po ashtu, duhet cekur faktin, se ideja e ndarjes së serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan përmes një linjë të demarkacionit kufitar mes dy popujve, për herë të parë në Serbi e ka thënë “babai” i kombit serb, Dobrica Qosiç, i cili në vitin 1981 pas demonstratave të studentëve shqiptarë në Prishtinë, kishte deklaruar; “Kosova do të bëhet vend dhe tokë shqiptare, për një apo dy dekada. Çështja me shqiptarët duhet të ndahet, ajo duhet të ndahet me shqiptarët, dhe mënyra e vetme për këtë është vendosja e kufirit ndarës dhe të përhershëm mes tyre”, ide kjo të cilën asokohe e kishte refuzuar kisha serbe.

Pra, nëse gjithë idenë e shkëmbimit të popullsisë mes Kosovës dhe Serbisë e shikojmë nga prizmi tjetër politik dhe nacional, si një ide e mundshme dhe e zbatueshme në praktikë, mendoj se një gjë e tillë do kishte qenë e favorshme për kombin shqiptar, marrë parasysh shumë shkaqe dhe arsye, por ndër më kryesorët, dhënies fund të armiqësisë dhe luftërave të shqiptarëve me serbët, qoftë kjo në një perspektivë të afërt, qoftë më të gjatë kohore, sidomos duke marrë parasysh faktin, se shqiptarët si komb dhe shoqëri janë në rritje e sipër, krahasuar me fqinjin verior, por edhe si mundësi reale për bashkimin e pjesës më të madhe të tokave shqiptare në Ballkan në një shtet unik shqiptar.

Në fund, dhe jo përfundimisht, mendoj se dy akademitë e shkencave tona në Prishtinë dhe Tiranë, dy Kuvendet përkatëse si dhe institutet tona shkencore, do duhej që pa humbur kohë të merren seriozisht më këtë ide, për të mos u zënë të papërgatitur, kur dihet se pala serbe gati gjithherë ka qenë më aktive se ajo shqiptare gjatë ngjarjeve historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat