Fan Noli në mbrojtje të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare

Opinione

Fan Noli në mbrojtje të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare

Prof. Dr. Lush Culaj Nga Prof. Dr. Lush Culaj Më 17 mars 2025 Në ora: 20:46
Theofan Stilian Noli

Theofan Stilian Noli (Fan Noli, 6 janar 1882-13 mars 1965 SHBA) burrë shteti, dijetar, poet, përkthyes e historian shqiptar. Fan Noli dha një kontribut të çmuar për Shqipërinë dhe thesarin e kulturës kombëtare. Lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe, fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuara me shqiptarë, qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve.

I ati, Stiliani, ndonëse tra­shëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shko­llën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri gre­qisht. Mirëpo, më shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pava­rur dhe fryma e revoltës.

Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njihet me  Faik Konicën. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përsëri shkoi në SHBA. Vatra e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë "Historia e Skënderbeut”. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjerë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës. Noli në qershor të vitit 1924 u caktua kryetar i qeverisë. Më 24 dhjetor 1924 mori udhën e mërgimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.

Me gjithë rezultatet e arritura në procesin e konsoli­dimit të shtetit shqiptar gjatë gjysmës së parë të vitit 1920, nga fundi i këtij viti mbeteshin ende probleme të mprehta që prisnin zgjidhje. Shtroheshin veçanërisht dy probleme të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme: përcaktimi përfundimtar i kufijve dhe ripohimi i statusit të Shqipërisë si shtet i pavarur.

Ky studim ka si qëllim parësor të pasqyrojë kontri­butin diplomatik të Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve dhe në arenën ndërkombëtare.

Më 12 tetor delegacioni shqiptar në Konferencën e Paqes ia paraqiti zyrtarisht sekretarit të përgjithshëm kërke­sën e Qeverisë shqiptare për pranimin e Shqipërisë në Li­dhje. Me atë rast nga Parisi i ishte shkruar Drummondit: "Qeveria shqiptare shprehëse besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur me gjithë shpirt të konso­li­dojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e madhe që do të mblidhet në Gjenevë më 15 nëntorin që vjen...".

Themelet e krijimit të organizatës së parë ndërko­m­bëtare u hodhën me miratimin e statusit të saj në seancën ple­nare të Konferencës se Paqes në fund të prillit të vitit 1919.

Kërkesa për anëtarësim e shtroi menjëherë edhe çësh­tjen e statusit ndërkombëtar të Shqipërisë. Kjo gjë ishte e precizuar në artikullin 1 të statutit të Lidhjes, ku thekso­hej: "Mund të bëhet anëtar i Lidhjes... çdo shtet... që qeveri­set li­risht", që nënkupton sigurisht sovranitetin e jashtëm. Në letrën e 20 tetorit sekretari i përgjithshëm Drummondi kërkonte dy lloj dokumentesh: 1) dokument mbi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe 2) dokumente mbi deklaratat ku dëshmohet se qeveritë e tjera e kanë njohur qeverinë e Shqipërisë si qeveri de facto ose de jure. Për Shqipërinë u duk një dritë shprese për tejkalimin e gjendjes së amullisë.

Që të shfrytëzohen sa më mirë këto mundësi Qeveria shqiptare vendosi që ta dërgonte në Gjenevë një delegacion të posaçëm të kryesuar nga Fan Noli. Qeveria shqiptare, me emërimin e Nolit në krye të delegacionit shqiptar, shpre­sonte për një përfaqësim sa më dinjitoz të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Noli kishte krijuar një reputacion të veçantë me erudicionin e tij.

Delegacioni mbërriti në Gjenevë në prag të hapjes së Asamblesë, më 12 nëntor. Prej këtij çasti trajtimi i çështjes së statusit ndërkombëtar të Shqipërisë kalon nga delega­ci­o­ni shqiptar në Konferencën e Paqes në delegacionin e po­sa­çëm pranë Lidhjes së Kombeve.

Image
Fan S. Noli

Me të arritur në Gjenevë delegacioni paraqiti doku­me­ntet të kërkuara në sekretariatin e Lidhjes, ku dëshmohej se Qeveria shqiptare i plotësonte të gjitha parakushtet për t'u konsideruar si qeveri e ligjshme e shtetit shqiptar. Shqyrtimi në thelb i çështjes kaloi nëpër dy etapa kryesore: etapën e parë e përbëjnë debatet në Komisionin V dhe të dytën - në mbledhjen plenare të Asamblesë. Me gjithë kundërshtimet, delegati britanik Robert Sesil dhe delegati i Kanadasë Ro­well ishin mbrojtës të denjë të kërkesës për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, përderisa jugosllavi Spa­laj­koviq e quajti Shqipërinë vetëm një embrion shteti.

Asambleja e mori përsëri në shqyrtim çështjen në sea­n­cën plenare të 17 dhjetorit, ku qëndrimet kishin ndry­sh­uar rrënjësisht. Tani Italia propozonte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Rezultati përfundimtar ishte fan­ta­stik: 35 në favor, 7 abstenime dhe asnjë kundër. Po atë di­të de­le­gacioni shqiptar u ftua që të zinte vend në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Natyrisht se këtë pranim kishte me­rita të veçanta  Fan Noli.

Duke folur për Shqipërinë, Noli protestoi duke kër­kuar që Këshilli i Ambasadorëve të marrë masa rreth çësh­tjeve nëse ky vend duhej të fitojë apo të nënshtrohet, pasi kishte qenë vend neutral gjatë gjithë Luftës së Parë Botë­rore.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e qartë­soi vetëqeverisjen e saj dhe ishte mbështetje e qëllimeve të sinqerta për t’i respektuar detyrimet e veta ndërkombëtare. Çështja më urgjente për shqiptarët ishte që të legalizohej nga pikëpamja ndërkombëtare gjendja e krijuar në Shqipëri me orvatjet dhe me sakrificat e popullit shqiptar. Pra, duhej rregulluar në mënyrë përfundimtare problemi i kufijve që ki­shte mbetur i pazgjidhur nga Konferenca e Parisit. Për shkak të këtij problemi, me ç’rast fqinjët tanë punonin në pra­paskenë për ta siguruar një ndryshim të kufirit të 1913-s në favor të tyre, grindja me Jugosllavinë po bëhej e padu­rue­shme. Mu për këtë kryeministri Vrioni, në fillim të marsit 1921, i paraqiti një apel Këshillit të Lidhjes së Kom­beve, përmes të cilit kërkonte evakuimin me urgjencë nga një pjesë e konsiderueshme të Shqipërisë Veriore, që ishte nën pushtimin ushtarak jugosllav. Për çështjen e tërheqjes së forcave jugosllave në kufijtë e vitit 1918 Qeveria shqip­tare i lutet Fan Nolit që të bisedojë me delegatët e tjerë në Gjenevë më 9 janar 1921, sepse prezenca e forcave jugo­sllave nuk po e lejonte të frymojë Qeverinë shqiptare.

Fjala e mbajtur nga Noli në një frëngjishte të shkël­qy­er la një përshtypje të thellë te Këshilli. Ai theksoi se ndonë­se kufijtë e Shqipërisë ishin caktuar në vitin 1913, ajo nuk mund të ndahet nga fqinjët e saj, Greqia dhe Jugosllavia, të cilat kanë marrë nga territoret e saj. Situata e politikës së saj të jashtme ishte aq delikate, saqë çdo incident i ri në kufi mund të shkaktojë luftë. Ai tha se rreth një e gjashta e te­rri­torit të saj, ashtu siç ishte përcaktuar nga marrëveshjet e vitit 1913, akoma mbahej me forcë, i pushtuar nga trupat jugosllave. Për pasojë, Shqipëria duhet të mbajë rreth 40 mijë refugjatë që vijnë nga territoret e saj. Pas tërheqjes së trupave franceze majin e kaluar nga pjesa jugore e Shqipë­risë, trupat greke pushtuan rajonin dhe rreth 2000 shqiptarë janë larguar tani nga ajo zonë dhe janë refugjatë. Thi­rr­ja iu përsërit Lidhjes së Kombeve nga Mithat Frashëri, president i delegacionit shqiptar në Paris, më 29 prill 1921, i cili pasi shtjelloi gjerësisht shqetësimet ekzistuese me Jugosllavinë, tërhoqi vërejtjen edhe për vështirësitë që kishin të bënin me Greqinë.

Me këtë rast iu dorëzuan tri nota shoqërisë së ko­m­beve në Gjenevë:

  1. Lirimi i tokave të pushtuara nga serbët,
  2. Ndalimi i mizorive dhe padrejtësive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës,
  3. Rivendosja relative diplomatike në Shqipëri.

Më 15 qershor nga një thirrje e kryeministrit Vrionit, bazuar në nenin 11 të marrëveshjes, i kërkohej përsëri me ur­­gjencë Lidhjes që ta vlerësonte situatën ekzistuese ndër­mjet Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë. Si rezultat i kë­saj, çështja e kufijve shqiptarë u diskutua në Këshillin e Lidhjes së Kombeve në sesionin e tij të 13, të mbajtur në qer­shor të vitit 1921. Në sesionin publik të 25 qershorit de­le­­gatëve të Shqipërisë, Greqisë dhe Jugosllavisë iu dha mu­ndësia që t'i shprehin pikëpamjet e tyre respektive rreth tryezës së këshillit. Përfaqësuesi shqiptar, Fan Noli, i pari e mori fjalën, duke kërkuar që kufijtë e Shqipërisë të jenë ata që ishin vendosur në Londër më 1913. Sa i përkiste Shqi­pë­risë së Jugut, Qeveria shqiptare theksoi se ishte në zotërim të të gjitha territoreve të caktuara më 1913, "me përjashtim të një zone që e rrethonte Korçën, e cila ishte pushtuar nga trupat greke pas tërheqjes së forcave franceze”. Prania e trupave të huaja në tokën shqiptare në jug e veçanërisht për­gjatë kufirit me Jugosllavinë, deklaroi Noli, paralizon tërë politikën e brendshme të qeverisë. Ndërkohë, jugosllavët përpiqeshin ta krijonin përshtypjen se po vepronin në Shqi­përi nën mandatin aleat.

Zoti Spalaikoviç, përfaqësuesi i Jugosllavisë, i aku­zoi shqiptarët për nxitjen e vazhdueshëm të trazirave dhe para­shikoi rrjedhjen e konfliktit në një luftë fetare. Kjo shkaktoi një klithmë në qoshen ku ndodheshin përfaqësuesit shqip­ta­rë. Disa delegatë ishin në këmbë dhe përfaqësuesi jugosllav tërhoqi referencën e tij për çështjen fetare. Ai le­xoi një nu­mër telegramesh, duke treguar luftimet që po vazhdonin ta­ni atje dhe duke u bazuar në kauzën e tij ai deklaroi se asnjë ushtar serb nuk e kishte kaluar vijën që shtri­­het poshtë zo­nës së përcaktuar nga konferenca e Paqes, duke përfu­nduar se luftimi po transferohej në veri të kufirit dhe se kjo po ndodh për faj të vetë shqiptarëve. Simpatia e shumicës së delegatëve ishte qartë kundër përfaqësuesit serb, ndërsa kur ai deklaroi se “ne i duam shqiptarët”, këtu shpërtheu një e qe­shur nga të gjitha anët e sallës. Për­pla­sja mes Nolit dhe delegatit serb “Unë jam thellësisht i prekur nga këto dek­larata dashurie nga të gjithë fqinjët tanë”, - tha ai. “Ne nuk kërkojmë më shumë prej tyre, ne kërkojmë vetëm të na lënë të qetë. Ne i duam serbët po aq sa ata na duan ne”.

Qeveria Vrioni në fillim të shtatorit 1921 të gjitha përpjekjet i kishte përqendruar në veprimtarinë e saj ndër­kombëtare kryesisht në Lidhjen e Kombeve. Në ballë të delegacionit shqiptar ishte përsëri Fan Noli. Ai, në emër të Qeverisë shqiptare, paraqiti një memorandum, përmes të cilit e akuzonte Qeverinë jugosllave për organizimin e re­vo­l­tës së Mirditës dhe për përgatitjen e një agresioni të ri ndaj Shqipërisë Veriore.

Akuzat e Nolit u vërtetuan shumë shpejt, pikërisht në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 1921, kur jugosllavët fi­lluan agresionin në rrethin e Peshkopisë e në veri të Shko­drës.

Derisa po vazhdonin diskutimet në Këshillin e Lidh­jes së Kombeve, verë - vjeshtë e vitit 1921, gjendja në Shqi­përi ishte shumë e vështirë, me ç'rast qeveria e Tiranës vinte në dukje se shkaku kryesor për situatën e ndërlikuar në Shqi­përi ishte Mbretëria SKS.

Z. Balfouri, përfaqësues i Anglisë, për ta kundër­shtu­ar mendimin e Jovanoviqit, sipas të cilit në Shqipëri kishte fanatizëm fetar, mori procesverbalet e komisionit të pestë të kuvendit të vitit të kaluar, i cili ishte marrë me pranimin e shteteve të reja dhe deklaroi: "Ky komision në raportin e vet ka diftuem, se Shqipnija nuk ka një fanatizëm fetar, veç një bashkim mjaft të rranjosun edhe një qeveri, e cila e gëzon autoritetin e saj mbi të gjithë Shqipërinë". Ndërkaq, Noli, duke iu përgjigjur Jovanoviqit, theksoi: "Shqipnija ka qe­veri të njoftun prej të gjithë popullit shqiptar, e përkrahur nga parlamenti dhe ka qendrën në mes të Shqipërisë.".

Qeveria shqiptare, përmes dy telegrameve drejtuar Li­dhjes së Kombeve, më 18 dhe 19 shtator 1921, kërkon an­­ga­­zhimin e saj për ndalimin e ndërhyrjes së re jugosllave, kurse më 23 shtator 1921 Fan Noli në Kuvendin e Lidhjes së Kombeve thekson: "Shqipëria është në luftë me Mbre­tërinë SKS, meqë trupat e saj kanë sulmuar.

Qëndresa e popullit shqiptar dhe lufta diplomatike në Lidhjen e Kombeve dhe jashtë saj krijuan simpati dhe u përkrahën nga qarqe të ndryshme demokratike evropiane. Rritja e simpatisë në favor të Shqipërisë natyrisht ndikoi në masë për ta parë me dashamirësi çështjen shqiptare, të pa­k­tën për ta vlerësuar realisht e me objektivitet nga qeveritë e Fuqive të Mëdha. Natyrisht se për këtë merita të veçanta ka Fan Noli.

Në një raport dërguar Qeverisë shqiptare nga dele­gacioni shqiptar në Gjenevë, më 9 tetor 1921, ndër të tjera, informohet qeveria për propagandën shqiptare në shtypin evropian, ku theksohet: "Një rëndësi të veçantë i kemi dha­në çashtjes sonë në shtyp, që është një ndër armët më të vlefshme për mbrojtjën e një kombi të vogël. Si me lajme shtypi, ashtu me intervista jemi përpjekur për të fituar më­ndimin botëror, kaq sa shumë miq na thanë se i gjithë shtypi ishte i fituar nga ne".

Në Londër ishte formuar shoqëria e miqve të Shqi­pë­risë, të cilën e udhëhiqte koloneli Aubrey Herbert. Orvatjet e kësaj shoqërie për ta ndihmuar çështjen shqiptare u kuro­rëzuan me sukses kur kryeministri britanik Llojd Xhorxh ia drejtoi një telegram sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve Erik Drummondit më 7 nëntor 1921, ku thek­so­hej: "Ndërhyrja e Ushtrisë jugosllave në Shqipëri është du­ke e vënë në rrezik paqen e botës. Qeveria mbretërore bri­tanike kërkon që të mblidhet menjëherë Këshilli i Lidh­jes së Kombeve për të vepruar në bazë të nenit 16 të statutit. Kon­fe­renca e Ambasadorëve në Paris i ka caktuar defi­ni­ti­visht kufijtë e Shqipërisë dhe palët e interesuara do të vihen në dijeni menjëherë".

Më 9 nëntor 4 fuqitë e mëdha: Anglia, Franca, Italia dhe Japonia njohën pavarësinë dhe sovranitetin e Shqi­pë­risë, konfirmuan kufijtë e saj sipas përcaktimeve të Konfe­re­ncës së Londrës të vitit 1913, me përjashtim të Shën Nau­mit dhe Vermoshit. Vendimi i 9 nëntorit 1921 i Konfere­n­cës së Ambasadorëve e përcaktoi definitivisht ekzistencën e Shqipërisë si shtet autonom dhe sovran.

Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 19 nëntor 1921 mira­toi rezolutën përmes së cilës urdhërohej Jugosllavia që ta tërhiqte urgjentisht ushtrinë nga Shqipëria brenda kufijve të përcaktuar në vitin 1913. Po atë ditë, Lidhja e Kombeve i telegrafoi Komisionit të Hetimit të Lidhjes së Kombeve, që sapo kishte arritur në Shqipëri që ta vëzhgonte evaku­i­min e forcave jugosllave dhe t'i krijonte të gjitha para­ku­shtet për sigurimin e paqes në Shqipëri.

Viti 1921 ishte vit i një rëndësie të veçantë për po­pu­llin shqiptar. U arrit që të paktën të ruhej pavarësia e Shqi­pë­­risë dhe tërësia territoriale e vitit 1913. Këto arritje, në një­farë mënyre, ishin bazë për konsolidim të mëtejmë të shtetit shqiptar.

Jugosllavia e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur në pranverë të vitit 1922, por pretendimet territoriale ndaj Shqi­përisë ekzistonin ende.

Qeveria e Ahmet Zogut, e cila kishte ardhur në push­tet më 2 dhjetor 1922, përpiqej për stabilitet të Shqipërisë dhe fqinjësi të mirë.“Detyrimisht Qeveria e Tiranës ndër­­hyri pranë Lidhjes së Kombeve në Gjenevë për ta vënë Ju­go­sllavinë para përgjegjësisë për krimet që po bënte, por pasi që fuqitë e mëdha nuk e përkrahën atë, përpjekjet e saj nuk dhanë rezultate konkrete".

Në të njëjtën kohë marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë pësuan thyerje për shkak të këmbënguljes së Qeverisë greke për të mos i njohur Korçën dhe Gjirokastrën si shqiptare. Fatkeqësisht kjo qeveri nuk donte ta kuptonte se statusi i Shqipërisë Jugore ishte vendosur në mënyrë të parevokueshme në Konferencën e Ambasadorëve dhe se Lidhja e Kombeve nuk do t'i merrte në konsideratë këto për­pjekje.

Ndonëse Jugosllavia strehonte dhe përgatiste forca kundër Shqipërisë, ajo ankohej në Lidhjen e Kombeve dhe pranë Qeverisë shqiptare, duke e akuzuar pikërisht qeverinë se ishte bërë bazë për "kriminelët" kosovarë. Pashiqi dhe ministri i Jashtëm Ninçiqi deklaruan se elementët kosovarë përfaqësoheshin edhe në Parlamentin shqiptar dhe se Ko­miteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës ishte në marrëdhënie të afërta me Komitetin Maqedonas që të luftojnë së bashku për shkatërrimin e Jugosllavisë. Duke mos kursyer as kër­cënimet, qeveritarët serbë deklaruan se nga qëndrimi që do ta mbante Qeveria shqiptare ndaj tyre do të vareshin edhe marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare.

Në përgjigje të këtij qëndrimi Qeveria shqiptare e informonte Jugosllavinë se elementi kosovar s'kishte ndi­kim në qeverisjen e shtetit dhe se Qeveria e Tiranës s'do t’i lejonte elementët "turbullues” që të gjenin fushëveprim në Shqipëri.

Me gjithë përpjekjet diplomatike për normalizimin e raporteve ndërshtetërore, ku merita të veçanta kishte edhe Fan Noli, Qeveria shqiptare nuk e la anash mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Lidhjen e Kombeve. Kjo ishte detyrë kombëtare e çdo qeverie shqiptare. Këto përpjekje ish­­in detyrë e Fan Nolit edhe pas ardhjes në krye të shtetit si kryeministër në qershor të vitit 1924. Pra, bllokadën diplo­matike të shtetit shqiptar përmes Lidhjes së Kombeve, u përpoq ta zgjidhte edhe kryeministri Fan Noli. Ai, në cilë­si­në e kryeministrit, shkoi vetë në Asamblenë e Lidhjes, e cila i filloi punimet në shtator të vitit 1924. Mendohej që të shfry­tëzohej rasti kur merrnin pjesë figurat kryesore të politikës ndërkombëtare. Me vete e kishte edhe Gurakuqin me të cilin e lidhte një miqësi personale. Ata qëndruan në Gjenevë më tepër së një muaj e gjysmë përkatësisht gjer në mes të tetorit. Noli shtroi kërkesën e dhënies së një huaje për Qeverinë shqiptare. Mirëpo, reputacioni i lartë që gë­zonte Noli në përfaqësimin e denjë që ia kishte bërë çështjes shqiptare vite më parë në Gjenevë tashmë kishte rënë. Në sytë e Lidhjes së Kombeve ai ishte një uzurpator, derisa nuk mund ta provonte legalisht se përkrahej nga populli. Shtetet e mëdha ende nuk ishin të gatshme ta njihnin si kryetar qe­ve­rie, kurse çështja e huas ishte për atë moment jashtë ra­dhës. Ky qëndrim i përfaqësuesve të Lidhjes së Kombeve e ofendoi Nolin, i cili tërë zemërimin e vet e shprehu për­mes fjalimit të tij të mbajtur në Lidhjen e Kombeve. Demo­kra­cinë e quajti një mashtrim hipokrit të popujve, parlame­ntin një murtajë, zgjedhjet e lira një komedi. Me oratorinë e një politikani majtist fjalimi i tij ishte një krye­vepër që kënaqi shumë anëtarë të neveritur të Lidhjes së Kombeve, por nuk ishte favorizues për një kryeministër që kishte shku­ar të kërkojë të holla për ta nxjerrë popullin nga var­fëria.

Fjalimi i Nolit jo vetëm që nuk përkonte me qëllimin e vizitës së tij në Gjenevë, por ishte i padrejtë po të merrej parasysh fakti se Lidhja e Kombeve e kishte shpëtuar Shqi­pë­rinë tri vjet më parë nga agresioni jugosllav.

Megjithatë, Lidhjes së Kombeve vazhdimisht i shko­nin protesta në mbrojtje të vëllezërve të tyre jashtë kufijve të vitit 1913. Kjo vërtetohet edhe nga informata që kishte ministri jugosllav se Qeveria shqiptare dëshironte t'ia para­qi­ste Lidhjes së Kombeve një raport mbi çështjen e mino­ritetit shqiptar në Jugosllavi.

Në gusht të vitit 1924 qeveria e Nolit e udhëzoi për­fa­që­suesin e vet në Gjenevë për të protestuar para Lidh­jes se Kombeve “në formë jozyrtare” kundër masakrave jugo­slla­ve ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Për t’i shmangur akuzat jugosllave qeveria e Nolit urdhëroi që këtë protestë ta bënin Hasan Prishtina, Bedri Pejani dhe Bajram Curri, të cilët shkuan në Gjenevë si përfaqësues të Komitetit të Ba­shkuar të Shqiptareve irredentë. Me 26 shtator “ata ia dorëzuan Lidhjes se Kombeve peticionin ku e informuan opinionin botëror mbi gjendjen e mjerueshme të shqipta­rë­ve në Jugosllavi me fakte rrëqethëse të barbarive shtazarake serbomëdha”.

Qeveria shqiptare  apeloi te shoqëria e Kombeve në mënyrë që qeveritë e Beogradit dhe Athinës ta respektonin angazhimin që kishin marrë përballë Lidhjes së Kombeve ndaj shqiptarëve.

Fan Noli qoftë, si përfaqësues i Qeverive shqiptare në Lidhjen e Kombeve dhe arenën ndërkombëtare, qoftë si krye­­ministër i vendit, bëri përpjekje që përmes Lidhjes së Kombeve dhe instancave ndërkombëtare t’i mbrojë të drej­tat e Shqipërisë, por edhe të popullit shqiptar jashtë Shqipë­risë. Mirëpo, hezitimi ndërkombëtar ndaj situatës në Shqi­përi dhe ndaj Qeverisë shqiptare, duke konsideruar ma­rrjen e pushtetit përmes rrugës së dhunshme dhe kryengr­itjes, ndi­kuan që problemi kombëtar, me gjithë përpjekjet, të mos shfaqej si ndonjë çështje e rëndësishme e politikës shqiptare gjatë asaj periudhe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat