​Pakënaqësi për kategorizimet e sportit, KOK: U bë sipas rregullores së MKRS-së

Sporti

​Pakënaqësi për kategorizimet e sportit, KOK: U bë sipas rregullores së MKRS-së

Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 12:23
Foto ilustrim

Kategorizimi i ri i sporteve i bërë për vitin 2022 nga Komiteti Olimpik i Kosovës ka ngjallur reagime nga disa prej kryetarëve të federatave në vendin tonë duke e vlerësuar atë si jo të drejtë dhe të pabazuar në aktivitete dhe garat e zhvilluara gjatë një vitit kalendarik.

Nga ky kategorizim e para në renditje doli Federata e Xhudos me 83 pikë pas sukseseve të mëdha gjatë vitit 2021, e ndjekur nga ajo e hendbollit me 79 pikë dhe Federata e Karatesë me 78 pikë.

Jashtë kategorisë A, por si e para në kategorinë B ,është renditur Federata e Boksit të Kosovës dhe me këtë fakt shprehet jo i lumtur sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës Latif Demolli i cili thotë për KosovaPress se është mëkat që Federata e Boksit nuk është në kategorinë A.

Demolli: Mëkat që Federata e Boksit nuk është në kategorinë A

“Ne kemi qenë të bindur që në kategorinë B do të jemi të parët sikur në vitet e kaluara për arsye se ne e mbajmë një tempo si në garat ndërkombëtare ashtu edhe vendore dhe rezultatet gati janë të përafërta përveç ndonjë kampionati evropian ose botëror që e tejkalojmë[...] Është mëkat që boksi është në kategorinë B kur e ka vendin në kategorinë A sepse sportet të cilat kanë qenë historikisht edhe janë dhe kanë rezultate duhet të jenë aty ku e kanë vendin në kategorinë A, por në kategorinë A 99 përqind të sporteve janë sporte kolektive vetëm pse e kanë masivitetin e sportistëve”, tha Demolli.

Demolli më tutje apelon që të bëhet ndryshimi i rregullores aktuale për kategorizimin e sporteve në Kosovë dhe se kjo të bëhet vetëm në bazë të rezultateve dhe suksese që i arrijnë federatat gjatë një vitit kalendarik të garave

Demolli: Kërkojmë ndryshimin e rregullores për kategorizimin e sporteve

“Kisha apeluar që në të ardhmen kjo rregullore të ndryshojë në të mirë të sporteve, të federatave, sportistëve dhe të bëhet një komision nga sportistë të cilët vite me radhë kanë marrë pjesë në sporte madhore dhe të bëjnë një kontratë ose rregullore për sportistë. Nuk ka rëndësi nëse ke masivitet, nëse nuk ke rezultate dhe rezultatet të jepen aty ku duhet dhe në kategorinë A të shkojnë si federatat si individuale ashtu edhe kolektive sipas rezultateve, jo sipas sportistëve që i kanë të regjistruar sepse ne boksi nuk mund t’i kemi 5000 e 4000 boksierë që ushtrojnë”, theksoi më tutje sekretari i FBK-së.

I pakënaqur me kategorizimin është shprehur edhe Kryetari i Federatës së Kick-boksit të Kosovës Fatmir Makolli. Kjo federatë është vendosur në kategorinë D të sporteve me 27 pikë.

Makolli për KosovaPress ka thënë se ky vlerësim nuk është bërë ashtu siç duhet dhe njëkohësisht ka kërkuar anulimin e të gjithë këtij procesi.

Makolli: Kërkojmë anulimin procesit të kategorizimit të sporteve

“Çfarë kategorizimi kanë mundur të bëjnë këta? Këta kanë mundur t’i thonë kategorizim, por ky nuk është kategorizim dhe unë jam këmbëngulës që të anulohet ky kategorizim dhe të formohet një komision nga fillimi, një komision i pavarur, njerëz që nuk kanë ndikim nëpër federata[...]Ndoshta edhe jemi mirë këtu ku jemi, por tek të tjera nuk është bërë kategorizimi mirë. Ato nuk mund të kenë pikë kaq të mëdha si Federata e Volejbollit, i kanë renditur sipas dëshirës”, ka thënë Makolli.

Një renditje kaq e ulët, Makolli thotë se po i kushton federatës që i drejton edhe më zhvillimin e aktiviteteve për shkak të mungesës së mbështetjes financiare.

Makolli: Pa mbështetje financiare nuk mund t’i zhvillojmë aktivitete tona si federatë

“Si mund të realizojmë aktivitetet me këtë kategorizim. Pa mjete nuk mund të shkojmë në aktivitete. Federata e Kick-boksit mund të ndodh është e ftuar të shkojë në Kampionatin Botëror, unë po të kisha mjete i dërgoj 20 veta por duhet t’i zvogëloj dhe t’i dërgoj tre veta që janë më të mirët sepse përndryshe nuk mund t’i marrësh të gjitha garat parasysh kur nuk ke mjete, pa mjete nuk mund të shkojmë”, tha në fund ai.

Por, nga Komiteti Olimpik i Kosovës bëjnë të ditur se ky kategorizim është bazuar në rregulloren e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Zëdhënësi për media i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi, ka thënë për KosovaPress se ata janë të vetëdijshëm që disa federata janë penalizuar nga ky kategorizim, por që kjo rregullore pritet të ndryshohet gjatë këtij viti.

Krasniqi: Kategorizimi është bërë sipas rregullores së MKRS-së

"Komisioni për kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve ka marrë të gjitha vendimet bazuar në dokumentacionin e sjellë nga federatat si dhe në rregulloren e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport që ka të bëjë me kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve. E dimë që disa prej federatave i penalizon kjo rregullore dhe sidomos futbollin si sportin më masiv në vend mirëpo komisioni për kategorizim ka rekomanduar ministrisë që pikërisht gjatë këtij viti ta bëjë përditësimin e kësaj rregulloreje. Çdokush që ka ankesa në lidhje me vlerësimin që është bërë gjatë muajit të kaluar nga komisioni ka afat prej tetë ditësh (deri të mërkuren) që të dërgojnë ankesat e tyre dhe me to do të merret komisioni për ankesa", ka thënë Krasniqi.

Përveç federatave, Komiteti Olimpik i Kosovës ka kategorizuar edhe sportistët dhe trajnerët për vitin 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat