PSG ka marrë një lajm shqetësues pas lëndimit të rëndë të sulmuesit francez Desire Doue në ndeshjen kundër Nices, të cilën skuadra parisiene e fitoi me rezultat 3:2.
Sulmuesi pësoi një lëndim në gjurin e djathtë, pasi shënoi një gol, ndërsa u largua nga fusha me barelë, mes shqetësimit të madh të bashkëlojtarëve dhe stafit teknik.
Sipas gazetës franceze “L'Equipe”, ekzaminimet e para kanë ngritur dyshimet për një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL) në gjurin e djathtë. Nëse konfirmohet ky dëmtim, Doue pritet të mungojë për disa muaj.
Për të përcaktuar saktësisht natyrën dhe shkallën e lëndimit, futbollisti do t'i nënshtrohet rezonancës magnetike (MRI), pas së cilës klubi pritet të bëjë një njoftim zyrtar.
Trajneri Luis Enrique nuk e fshehu shqetësimin pas ndeshjes, duke e cilësuar lëndimin serioz, por theksoi se diagnoza përfundimtare do të përcaktohej vetëm pas ekzaminimeve mjekësore.
"Duhet të presim rezultatet e ekzaminimeve të nesërme, por është e qartë se bëhet fjalë për një lëndim serioz. Këtë e pamë edhe në televizion", deklaroi trajneri spanjoll.
Trajneri i PSG-së zbuloi se kishte biseduar me Douen pas ndeshjes dhe shprehu besimin se sulmuesi do ta kalojë këtë periudhë të vështirë.
"Jam i bindur se do të rikuperohet plotësisht dhe do të rikthehet edhe më i fortë se më parë. Kam biseduar me të dhe ai tani ndodhet në dhomën e zhveshjes. Duhet të presim rezultatet përfundimtare për të kuptuar saktësisht natyrën e lëndimit", u shpreh Enrique.