Vora – Tirana është sfida që përmbyll javën e e12-të të “Abissnet Superiore”.
Sfida e cila do të luhet në Vorë do të nisë në orën 13:30. Prag këtij dueli, ka folur për mediat, trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç.
“Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne, prandaj ne hyjmë gjithnjë për të fituar. Me Vorën është si gjithë të tjerat. Ne përgatitemi gjithmonë për të dhënë maksimumin ndaj shpresojmë që të fitojmë.
Për fat të keq kemi 3 mungesa të rëndësishme: Krymi, Berisha dhe Stanic. Një ditë më parë, në stërvitje u dëmtua edhe Kolej, që shpresoj të jetë i gatshëm për ndeshjen me Vorën. Ndërsa pushimi për shkak të ndeshjeve të kombëtares ka patur anët pozitive dhe negative.
Pozitive ishte që patëm kohë të pushonim, dhe të përgatiteshim më mirë, teknikisht, taktikisht e fizikisht. Pozitiv është edhe fakti që kishim 5 lojtarë të grumbulluar me kombëtaret respektive, e ky fakt është nder për klubin, për lojtarët për të gjithë.
Ana negative ka te bëjë me kohën që lojtarët janë larg klubi, veçanërisht ata afrikanë, të cilët bënë udhëtime të gjata. Por ky është futbolli dhe ata janë profesionistë e shpresoj që të japin më të mirën në ndeshjen me Vorën.
Besoj që kemi vend për përmirësim. Shpresoj që të bëhemi më të mirë nga ndeshja në ndeshje”, tha Klafuriç.