Trajneri i Celtas reagon pas humbjes ndaj Real Madridit 

Futboll

Trajneri i Celtas reagon pas humbjes ndaj Real Madridit 

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 00:01
Pamje nga ndeshja Real - Celta

Trajneri i Celta Vigos, Claudio Giraldez, pranoi se skuadra e tij zhvilloi një ndeshje të vështirë ndaj Real Madridit, pavarësisht humbjes 2:1 në kuadër të xhiros së 13-të të La Ligës.

Giraldez beson se skuadra e tij ishte pranë marrjes së një rezultati pozitiv në Santiago Bernabeu, por në fund pagoi çmimin për humbjen e kontrollit të topit në pjesën e dytë dhe për rastet e pashfrytëzuara para portës kundërshtare.

Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri analizoi arsyet e humbjes, paraqitjen e futbollistëve të tij, ndikimin e zëvendësimeve të Real Madridit, si dhe vendimet e gjyqtarit që shkaktuan protesta gjatë takimit.

Ai pranoi se ndiente një përzierje kënaqësie dhe zhgënjimi. Sipas tij, lojtarët e Celta Vigos zhvilluan një paraqitje të mirë ndaj një kundërshtari të nivelit të Real Madridit, por nuk arritën ta ruanin epërsinë deri në fund.

“Ka dy mënyra për ta parë këtë ndeshje. Mund të ndihesh i kënaqur, sepse Real Madridi shënoi golin e fitores në fund dhe deri atëherë po luftonte për të qëndruar në lojë. Por kjo nuk mjafton”, deklaroi Giraldez, duke theksuar se skuadra e tij kishte humbur shumë lehtë topin pas pushimit.

Sipas trajnerit të Celta Vigos, skuadra e tij mund ta kishte ruajtur epërsinë nëse do të kishte vazhduar të kontrollonte më mirë topin.

Ai përmendi gjithashtu një pritje të rëndësishme të Thibaut Courtois, i cili shpëtoi Real Madridin para golit të barazimit.

Giraldez vlerësoi se zëvendësimet e trajnerit kundërshtar i dhanë Real Madridit energji të re në fazën sulmuese, edhe pse Celta nuk i lejoi vendasit të krijonin shumë raste të pastra.

I pyetur për protestat dhe vendimet e diskutueshme të gjyqtarit, trajneri i Celta Vigos vendosi të mos hynte në detaje.

Ai shprehu respektin e tij për gjyqtarët, duke pranuar se edhe ata mund të gabojnë gjatë ndeshjeve.

“Gjykimi nuk është i lehtë. Kam respektin më të madh për gjyqtarët. Ka gjëra që i bëjnë mirë dhe të tjera që i bëjnë gabim. Nuk do të komentoj më shumë”, u shpreh Giraldez.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat