Xabi Alonso po lufton për të shpëtuar vendin e tij në stolin e Chelseat, pas një serie zhgënjyese rezultatesh që kulmoi me një humbje të rëndë në shtëpi.
Trajneri spanjoll është paralajmëruar se aventura e tij në Londrën Perëndimore mund të përfundojë nëse nuk arrin një reagim të menjëhershëm dhe të dukshëm, si në rezultate ashtu edhe në paraqitjet e skuadrës.
“Stamford Bridge” shpërthen ndaj Alonsos pas humbjes së rëndë
“Stamford Bridge” u përfshi nga pakënaqësia të shtunën, pasi Chelsea pësoi një humbje të thellë 4:1 ndaj Leeds Unitedit.
Kjo disfatë erdhi pas humbjes 1:0 në udhëtim ndaj Sunderlandit, dy javë më parë, si dhe një humbjeje të pazakontë në shtëpi ndaj rivalit Tottenham.
Tifozët shprehën hapur zemërimin e tyre, duke drejtuar thirrjet “Ti nuk e di se çfarë po bën” në drejtim të bankinës, në momentin kur Malo Gusto u aktivizua në lojë.
Edhe pse ekziston mirëkuptimi se metodat e Alonsos kanë nevojë për kohë për t'u zbatuar, zëvendësimet e tij janë vënë vazhdimisht në pikëpyetje.
Cundy me kritika të ashpra: “Ishim të tmerrshëm”
Ish-futbollisti i Chelseat, Jason Cundy, ka reaguar ashpër pas humbjes ndaj Leedsit, në një prononcim për radio-stacionin talkSPORT, duke paralajmëruar se ndryshimi në stol mund të jetë i pashmangshëm nëse skuadra nuk reagon menjëherë.
“Jemi në gjendje të mjerueshme. Ishim shumë të dobët, ishte vërtet shumë keq... Nuk mund ta besoj atë që sapo pashë”, deklaroi Cundy.
“Kjo ishte një paraqitje shqetësuese. Nëse vazhdon kështu, Alonso nuk do ta mbajë vendin e punës, po jua them me plot bindje”, shtoi ai.
Duke iu referuar humbjeve radhazi ndaj Sunderlandit dhe Leedsit, Cundy kritikoi ashpër paraqitjen e skuadrës.
“Nuk mund të luash ashtu siç luajtëm ndaj Sunderlandit, nuk mund të paraqitesh ashtu siç u paraqite sot ndaj Leedsit dhe t'i humbësh të dyja ndeshjet”, theksoi ai.
“Ne ishim të tmerrshëm, absolutisht të tmerrshëm. Ende po përpiqem t'i gjej fjalët për ta përshkruar atë që ndodhi. Me kalimin e çdo minute ne luanim gjithnjë e më keq, ndërsa Leeds po bëhej gjithnjë e më i mirë”, përfundoi Cundy.