Topi është në “duart” e Trabzonsporit, Romës i duhet shumë punë për t’i marrë Ernest Muçin

Futboll

Topi është në “duart” e Trabzonsporit, Romës i duhet shumë punë për t’i marrë Ernest Muçin

Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 11:06
Salah e Muçi

Interesimi i Romës për Ernest Muçin është konkret.

Prej disa ditësh tashmë po përflitet për një transferim të mundshëm të mesfushorit shqiptar drejt elitës së futbollit italian, aty ku drejtuesit e klubit kryeqytetas e kanë shënuar emrin e pogradecarit në listën e dëshirave.

Për të kaluar nga interesimi në negociata, mediumi turk “Taka Gazete” shkruan se procesi nuk pritet të jetë i lehtë. Në mes është kontrata e lojtarit 25-vjeçar e cila vlen dei në 2029-tën dhe që i jep të drejtën Trabzonspor të ketë “topin në zotërim” për plotësimin e kërkesave.

Në tavolinë do të duhen së paku 20 milionë euro, pretendim i drejtuesve të klubit nga Trabzoni për të lënë të lirë Muçin, ndonëse “Transfermarkt” e çmon 11 milionë euro.

Në Itali, sakaq, Muçin e shohin si përforcim ideal për sulmin e romakëve, marrë në konsideratë që skuadra po performon në mënyrë spektakolare dhe partneriteti me Malen do t’i kryente punë trajnerit Gianpiero Gasperinit. 

Për të lehtësuar negociatat, mund të vinte në ndihmë Mohamed Salah, një ish i kësaj skuadre. Egjiptiani gëzon respektin e kryeqytetasve, ndërsa me Ernest Muçin ka kombinuar mjaft mirë te Trabzonspor.

Një ndihmesë e tij do të kishte peshë në finalizimin e këtij operacioni historik për një futbollist të Kombëtares.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat