Malen shkruan historinë me katër gola, lë pas Van Bastenin dhe Shevchenkon

Futboll

Malen shkruan historinë me katër gola, lë pas Van Bastenin dhe Shevchenkon

Nga: B.S. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 23:34
Donyell Malen gjatë një aksioni në ndeshjen Parma – Roma.

Donyell Malen po përjeton një periudhë të jashtëzakonshme me fanellën e Romës. Sulmuesi holandez realizoi katër gola në fitoren 5:1 ndaj Parmës, duke konfirmuar formën fantastike dhe duke hyrë në historinë e klubit kryeqytetas.

Malen tashmë ka realizuar 12 gola në 11 paraqitje në Serie A, me një mesatare prej më shumë se një goli për ndeshje. Shifrat e tij po flasin vetë, ndërsa trajneri Gian Piero Gasperini beson se sulmuesi mund të synojë edhe rekordin e Gonzalo Higuainit prej 36 golash në një sezon të vetëm të kampionatit italian.

Rekorde të jashtëzakonshme në fanellën e Romës

Me 26 gola të shënuar gjatë vitit 2026, Malen është bërë lojtari i dytë në historinë e Romës që realizon më shumë se 25 gola në një vit kalendarik në Serie A. Para tij qëndron vetëm Pedro Manfredini, i cili kishte shënuar 26 gola në vitin 1960, shkruan media italiane “Gazzetta dello Sport”.

Holandezi po ashtu po regjistron shifra që e vendosin në mesin e golashënuesve më të mirë në historinë e kampionatit italian.

Në 12 xhirot e para të kampionatit, vetëm dy futbollistë të Romës kanë shënuar më shumë se ai: Enrique Guaita, me 15 gola në sezonin 1934/35, dhe Pedro Manfredini, me po aq realizime në sezonin 1960/61.

Më mirë se Higuain në këtë fazë të kampionatit

Në renditjen historike të golashënuesve pas 12 xhirove të para të Serie A, që nga sezoni 1929/30, Malen renditet në vendin e 12-të me 12 gola.

Para tij gjenden emra të mëdhenj të futbollit, si Silvio Piola dhe Gabriel Batistuta me nga 13 gola, Ciro Immobile

me 14, si dhe Giuseppe Meazza, Enrique Guaita, Pedro Manfredini dhe Luca Toni me nga 15 gola.

Në krye të kësaj renditjeje është Antonio Angelillo me 20 realizime, ndërsa Felice Borel ka shënuar 17.

Një krahasim interesant është ai me Gonzalo Higuainin. Në sezonin kur argjentinasi vendosi rekordin prej 36 golash në Serie A, në të njëjtën fazë të kampionatit kishte realizuar vetëm 10 gola. Malen, ndërkohë, ka 12.

Për më tepër, falë kontributit të sulmuesit holandez, Roma është bërë skuadra e parë në 76 vitet e fundit që ka shënuar më shumë se 35 gola në 12 ndeshjet e para të një sezoni të Serie A.

Gasperini: Ndoshta vetëm Lautaro është më i mirë

Pas fitores bindëse ndaj Parmës, Gasperini vlerësoi paraqitjen e Malenit dhe theksoi se holandezi kishte cilësi të jashtëzakonshme edhe përpara se të transferohej te Roma.

"Ai ishte një futbollist i madh edhe më parë. Nuk transferohesh te klube si Aston Villa nëse nuk ke cilësi të jashtëzakonshme. Ndoshta unë thjesht e kam vendosur të luajë në pozitën ku mund të shprehet më së miri. Në Itali flasin numrat. Më i mirë se ai? Ndoshta mund të mendoj vetëm për Lautaron. Bobby është i jashtëzakonshëm dhe skuadra e shfrytëzon më së miri falë karakteristikave të tij", deklaroi Gasperini.

Topi i ndeshjes, dhuratë për njërin nga fëmijët

Pas katër golave ndaj Parmës, Malen u largua nga stadiumi me topin e ndeshjes, si kujtim i një pasditeje të veçantë.

I pyetur se kujt do t'ia dhuronte topin, sulmuesi holandez u përgjigj me humor:

"Njërit prej fëmijëve të mi. Ndoshta do të grinden për ta marrë. Të paktën ky është i verdhë, deri tani kisha vetëm topa të bardhë. Prandaj është diçka e bukur".

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Malen do të ketë nevojë për më shumë rafte në shtëpi për të vendosur topat e ndeshjeve të tij.

Holandezi po e kthen sezonin në një histori rekordesh dhe Roma ka gjetur te ai një nga armët kryesore në garën për objektivat e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat