Barcelona rikthehet në aksion në La Liga pas pushimit ndërkombëtar, ku sot e pret Villarrealin në kuadër të xhiros së 13-të të kampionatit spanjoll.
Skuadra e Hansi Flickut synon ta vazhdojë serinë pozitive dhe ta mbrojë kreun e tabelës, ku aktualisht ka 33 pikë, tri më shumë se Real Madridi.
Katalunasit vijnë në këtë përballje pas fitores 2:1 ndaj Atletico Madridit, ndërsa synojnë tri pikët e radhës para një kalendari të ngarkuar me ndeshje.
Në anën tjetër, Villarreali udhëton në Barcelonë me synimin për të marrë rezultat pozitiv. Skuadra mysafire ka treguar se mund t’i shkaktojë probleme Barcelonës edhe në udhëtim, ndërsa përballjet mes këtyre dy skuadrave shpesh kanë dhuruar shumë gola.
Një nga emrat që pritet të jetë në qendër të vëmendjes është Lamine Yamal, i cili ka shënuar pesë gola në gjashtë paraqitje ndaj Villarrealit në La Liga.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin Spotify Camp Nou, me fillim nga ora 14:00.