Ylli i Argjentinës bie pa ndjenja gjatë një interviste të drejtpërdrejtë

Futboll

Ylli i Argjentinës bie pa ndjenja gjatë një interviste të drejtpërdrejtë

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 12:01
Futbollisti i kombëtares së Argjentinës, Leandro Paredes, pak sekonda para se t’i binte të fikët gjatë një interviste të drejtpërdrejtë televizive.

Futbollisti i kombëtares së Argjentinës, Leandro Paredes, shkaktoi shqetësim të madh për gjendjen e tij shëndetësore, pasi u rrëzua gjatë një interviste televizive të drejtpërdrejtë, pas triumfit të Boca Juniors në Kupën e Amerikës së Jugut.

Mesfushori sapo kishte udhëhequr si kapiten skuadrën e tij drejt fitores 2:0 ndaj Atletico Mineiros, kur ndodhi incidenti shqetësues në tunelin e stadiumit.

Me golat e Santiago Ascacíbarit dhe Miguel Merentielit fitoi Boca Juniors në stadiumin ‘Estadio Metropolitano’, por festimet shumë shpejt u shndërruan në shqetësim.

Gjatë një interviste të drejtpërdrejtë për televizionin ‘DSports’, në tunelin e stadiumit, Paredes u rrëzua përtokë dhe mbeti pa lëvizur, në mes të fjalisë, para syve të gazetarit të tmerruar.
Kamerat televizive e ndërprenë menjëherë transmetimin, ndërsa personeli mjekësor nxitoi për t'i dhënë ndihmën e nevojshme mesfushorit 32-vjeçar.

Nxehtësia dhe lagështia duket se kanë ndikuar në këtë episod të fikëti, i cili ndodhi pasi trajneri Rodolfo Arruabarrena e kishte zëvendësuar Paredesin gjatë pjesës së dytë.

“Ai ndjeu marramendje drejt fundit të pjesës së parë. Gjatë pushimit u përmirësua pak, por pas 10 minutash në pjesën e dytë mund të vërehej se po kishte vështirësi. Ai ishte shumë i sinqertë dhe kërkoi të zëvendësohej. Vetëm më vonë mora vesh se i kishte ndodhur edhe një episod tjetër i fikëti“, deklaroi Arruabarrena.

“Pak kohë më vonë, falë ndihmës së mjekëve, kapiteni i Boca Juniors arriti të rikuperohej.

Megjithatë, si masë paraprake, ai u transportua në një klinikë aty pranë për t’u stabilizuar plotësisht dhe për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Familjarët e tij, prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët, qëndruan vazhdimisht pranë tij”, shkruan media argjentinase “Clarin”.

Për t’i qetësuar të gjithë, vetë Paredes publikoi një fotografi në Instagram, të shoqëruar me mesazhin:

“Jemi mirë. Forca Boca, sot dhe gjithmonë!“.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat