Futbollisti i Struga Trim Lum, Landrit Rama, ka folur në prag të përballjes së sotme ndaj Bregallnicës së Shtipit, në kuadër të Kampionatit të Maqedonisë së Veriut.
Struganët udhëtojnë drejt Shtipit me synimin për të marrë tri pikët e plota, ndërsa ndeshja do të zhvillohet nga ora 12:00.
Rama ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të bashkëlojtarëve për të dhënë maksimumin në këtë përballje, me synimin që Struga të vazhdojë garën për objektivat e saj sezonale.
"Mendoj që e kemi shfrytëzuar mjaft mirë pauzën ndërkombëtare për të përmirësuar edhe gabimet më të vogla, ashtu që mendoj se të përgatitur e presim ndeshjen e radhës.
E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por neve jemi Struga Trim Lum dhe dimë se si t'ia dalim edhe në ndeshje të këtilla.
Fitorja është synimi kryesor, ndaj dhe besojmë se në fund do ia arrijmë qëllimit", tha Rama.
“Fizikisht jemi në gjendje shumë të mirë dhe të gjithë jemi gati të japim maksimumin, ashtu si edhe në çdo ndeshje tjetër.
Pikërisht kjo qasje e jona si skuadër, me angazhim të plotë të të gjithë lojtarëve ka bërë që neve të jemi në krye të tabelës së klasifikimit, e ku besojmë se do qëndrojmë edhe pas ndeshjes në Shtip", theksoi Rama për faqen zyrtare të klubit.