Figura të F1, futbollit dhe NFL në dosjet e fundit të Epstein

Sporti

Figura të F1, futbollit dhe NFL në dosjet e fundit të Epstein

Më: 5 shkurt 2026 Në ora: 16:29
Jeffrey Epstein

Dokumente të reja të publikuara në dosjet e Jeffrey Epstein kanë zbuluar se disa figura të larta nga Formula 1, futbolli dhe NFL kanë ruajtur kontakte me financierin amerikan edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për vepra seksuale. Sipas materialeve të bëra publike javën e kaluar, email-e dhe mesazhe tregojnë komunikime dhe takime të mundshme biznesi mes Epstein dhe drejtuesve të njohur sportivë, ndonëse theksohet se përmendja në dokumente nuk nënkupton automatikisht ndonjë shkelje ligjore.

Mes emrave të përmendur është ish-presidenti i FIA-s, (Federata Internacionale e Automobilëve) Jean Todt, për të cilin dokumentet sugjerojnë se ka vizituar Epstein në Nju Jork në vitin 2017. “Ishte mirë të njiheshim përmes mikut tonë të përbashkët,” i shkruante Todt Epstein-it në një email, sipas dokumenteve.

Gjithashtu, kontakte të vazhdueshme pas dënimit janë evidentuar edhe për investitorin e Crystal Palace, Josh Harris, i cili në një email i shkruante Epstein-it se ishte “i lumtur të takoheshin sërish”, megjithëse përfaqësuesit e tij kanë mohuar ekzistencën e një marrëdhënieje të pavarur.

Në NFL (Liga Nacionale e Futbollit Amerikan), bashkëpronari i New York Giants, Steve Tisch, shfaqet në korrespondencë ku Epstein përpiqej të organizonte takime shoqërore, ndërsa Tisch më vonë deklaroi se “pendohet thellësisht për çdo asociim” me Epstein. Ndërkohë, dokumentet përfshijnë edhe lidhje me Ghislaine Maxwell, e dënuar për rolin e saj në krimet e Epstein, duke nxjerrë në pah kontakte të hershme me figura të botës së sportit dhe biznesit. Autoritetet sportive, përfshirë NFL-në, kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë faktet për të vendosur mbi hapa të mëtejshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat