Me goleadën e Seid Onbashit, veteranët e Mitrovicës mposhtën kolegët e tyre nga Prizreni 8:1

Futboll

Me goleadën e Seid Onbashit, veteranët e Mitrovicës mposhtën kolegët e tyre nga Prizreni 8:1

Nga: F.B Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 19:52
Foto ilustrim

Seid Onbashi së bashku me Shpëtim Fetahun e Sheremet Isufin ishin enigmë e pazgjidhur dhe luanin si në ditët e tyre më të mira, duke shënuar së bashku 7 gola, në ndeshjen e Kupës së Kosovë për veteranë ndërmjet KVF “Mitrovica” dhe KVF “Prizreni” të cilën e fituan vendasit bindshëm 8:1.

Kontrolli i mesfushës, pasimet milimetrike dhe goditjet “fatale” erdhën në shprehje edhe në ndeshjen e sotme nga Seid Onbashi, i cili përveç se shënoi katër gola, përgatiti edhe dy të tjerë, duke u ri-dëshmuar si një virtuoz i madh i sportit më të popullarizuar.

Onbashi ka shënuar në minutat 5, minutën 25,58 dhe 61, ndërsa golat tjerë u shënuan nga Shpëtim Fetahu në minutën 37, Sheremet Isufi në minutat 27 dhe 62 dhe Saad Gashi në minutën 57 nga penallti kur paraprakisht në zonën prizrenase u pengua Fetahu.

Mitrovicasit në këtë ndeshje ishin skuadër më e mirë, më e disiplinuar dhe kolektive, duke bërë mbase ndeshjen më të mirë në këtë edicion, për çka kanë marr urime edhe falënderim edhe nga trajneri Sabit Uka.

Në këtë ndeshje në portën mitrovicase me shumë siguri u paraqit edhe kreu i Ligës së veteranëve në Federatën e Futbollit të Kosovës Enes Shosholli, që u shqua me disa pritje shumë të mira.

Me lojë të mirë u shquan edhe Afrim Nebihu, Saad Gashi, Enver Baliu, Humdi Hajdari, Enes Mustafa edhe gjithë të tjerët që u paraqitën në fushën e blertë të skuadërs Trepça ’89 tek liqeni i Ibrit.

Prizrenasit ndonëse emra të njohur në futbollin tonë dikur, sot nuk e kishin ditën dhe patën pak raste shënimi dhe sulmet e tyre ndaleshin në mesfushën apo në prag të zonës së skuadrës nikoqire.

Kjo ndeshje ishte e vlefshme për rrethin e parë të Kupës së Kosovës për Veteranët e Ligës së veteranëve ku në program ishin dhjetë ndeshje, ndërsa ndeshjet e rrethit të dytë do të përcaktohen në shortin në javën tjetër.

Ndeshja ishte korrekte nga të dy palët , që vazhduan shoqërimin edhe pas ndeshjes duke diskutuar për situatën aktuale në futbollin dhe kujtimet nga e kaluara.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat