Gasperini nuk merr meritat për Malenin

Futboll

Gasperini nuk merr meritat për Malenin

Nga: B.S. Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 21:24
Lojtarët e Romës festojnë fitoren

Gian Piero Gasperini po shijon formën e shkëlqyer të Romës, e cila aktualisht ka sulmin më të mirë në Serie A, me 36 gola të shënuar në 12 ndeshjet e para të kampionatit, me një mesatare prej tri golash për ndeshje.

Fitorja bindëse 5:1 në udhëtim ndaj Parmës e çoi Romën në kuotën e 30 pikëve, vetëm dy më pak se liderja e kampionatit, Lazio. Ndërkohë, Interi, me 28 pikë, ende duhet ta zhvillojë ndeshjen si mysafir ndaj Atalantës, të dielën në mbrëmje.

Pas ndeshjes, trajneri i Romës, Gasperini, foli për televizionin DAZN.

“A e bëra sërish atë kërcimin e vogël kur u largova nga fusha në fund të ndeshjes? Jo, thjesht përshëndeta tifozët me dorë. Nuk mund t'i mbaj gjithmonë krahët ngjitur pas trupit si pinguin (qesh).

Jam shumë i kënaqur, edhe sepse gjithmonë ekziston një dozë pasigurie kur disa futbollistë largohen për t'iu bashkuar përfaqësueseve gjatë ndërprerjes së kampionatit. Ishte e rëndësishme të vazhdonim aty ku e kishim lënë.

Fitorja me një diferencë kaq të madhe nuk e pasqyron vështirësinë e ndeshjes. Në të vërtetë, përballja ishte shumë më e baraspeshuar sesa tregon rezultati përfundimtar.

Gjithmonë duhet t'i vendosësh vetes objektiva më të lartë, por kjo skuadër po përmirësohet në çdo aspekt.

Pësuam një gol të lehtë dhe ekzistonte rreziku që të dorëzoheshim psikologjikisht dhe të pësonim edhe golin e barazimit. Por, përkundrazi, reaguam në mënyrë shumë të fuqishme.

Fakti që e dimë se jemi në gjendje të shënojmë gola na jep besim. Prandaj, edhe kur diçka shkon keq, ne gjithmonë besojmë se mund ta lëmë pas, të vazhdojmë përpara dhe të luajmë futbollin tonë.

A më kujtohet cili ishte futbollisti i fundit që kishte shënuar tri het-trike në Serie A brenda një viti kalendarik, para Malenit? Milito apo Gilardino te Genoa? Jo, në fakt ishte Iliçiç te Atalanta. I madhi Josip!

Malen e kishte dëshmuar tashmë cilësinë e tij te klube të mëdha si PSV Eindhoven, Borussia Dortmund dhe Aston Villa. Ndoshta unë thjesht e kam aktivizuar në pozitën ku ai jep më të mirën nga vetja.

Sa sulmues qendre ka në botë që janë më të mirë se ai në atë pozitë? Ka disa sulmues të mëdhenj. Edhe në Serie A jemi të pasur me futbollistë të tillë, ndërsa po dalin në skenë edhe disa talente të rinj.

Është e jashtëzakonshme se sa mirë është përshtatur Malen me skuadrën tonë. Ne arrijmë t'i nxjerrim në pah cilësitë e tij më të mira".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat