Liga nuk pranon shtyrjen e Lazio-Torino

Futboll

Liga nuk pranon shtyrjen e Lazio-Torino

Më: 2 mars 2021 Në ora: 17:33
Liga nuk pranon shtyrjen e Lazio-Torino

Këshilli i Ligës së Serisë A është mbledhur me urgjencë pasditen e sotme për të diskutuar për situatën e krijuar me ndeshjen Lazio-Torino dhe ka vendosur që të mos miratojë shtyrjen e ndeshjes, por të këmbëngulë për zhvillimin e saj sot në orën 18:30 sipas planifikimit.

Klubi i Torinos është vendosur në karantinë, për shkak të disa rasteve me koronavirus në skuadër dhe duhet të qëndrojë në izolim deri sot në mesnatë, sipas udhëzimeve të Zyrës Lokale Shëndetësore në qytet.

Në këtë mënyrë Torino nuk ka udhëtuar drejt Romës për ndeshjen dhe sfida sonte nuk mund të zhvillohet, por vendimi i Ligës detyron skuadrën e Lazios dhe arbitrat që të zbresin në fushë dhe të presin për 45 minuta, para se të vendoset për fitoren 3-0 të kryeqytetasve.

Tamponët e fundit në klubin “granata” kanë rezultuar të gjithë negativë, por te Torino janë të vendosur të zbatojnë urdhrin e autoriteteve shëndetësore për të qëndruar në izolim deri mesnatën e sotme dhe për të rinisur përgatitjet nesër.

Në rast se fitorja do t’i jepet Lazios në tavolinë 3-0, atëherë te Torino kanë gati apelimin në organe të tjera, duke qenë se tani kanë në favor edhe vendimin e Komisionit të Garancive Sportive për ndeshjen Juventus-Napoli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat