Josa para Partizanit

Futboll

Josa para Partizanit

Më: 23 prill 2021 Në ora: 18:24
Josa para Partizanit

Trajneri i Kukësit, Mirel Josa, në konferencën për shtyp para sfidës me Partizanin preku ndër të tjera temën e aleancave në fund të kampionatit.

“Kur luan kundër Partizanit, normal që ndeshja është e vështirë. Nuk mund të bëjmë shumë diferencim midis ndeshjeve, pasi kemi gabuar edhe në ndeshje që në letër kanë qenë shumë të lehta. Duhet të kemi parasysh se si vijnë skuadrat në këtë ndeshje. Ne vijmë nga dy ndeshje deri diku të mira, ku kemi marrë pikë. Besoj te vazhdimësia e skuadrës, në mënyrë që edhe ne të jemi të qartë çfarë do të bëjmë për të ardhmen”.

Objektivi: “Nuk mund të thuhet para ndeshjes se do të jemi të kënaqur me një barazim. Të dyja skuadrat futen në fushë për të fituar, futbollistë janë të karikuar. E njëjta pyetje m’u bë edhe para ndeshjes me Tiranën dhe një pikë nuk u bën punë fare skuadrave. Impenjimi? Çdo lojtar do të tregohet profesionist dhe do të japë maksimumin. Duhet të tregojë mundësitë e veta që ka për të luajtur futboll, mundësitë e veta që ka për të qenë pjesë e kësaj skuadre në vazhdimësi”.

Aleancat: “Kam qenë vetë në këto pozita përpara disa kampionateve. Mua më intereson serioziteti i lojtarëve të mi. Serioziteti individual i lojtarëve do të sjellë seriozitetin e skuadrës sa u përket ndeshjeve në vazhdim. Nuk shikojmë nëse do t’i bëjmë keq një skuadre, apo mirë një skuadre tjetër. Nëse mendojmë kështu, atëherë nuk ka asnjë shenjë motivimi të futbollistëve në vazhdimësi”.

Të gjithë në prove: “Unë e vë veten në provë personalisht pas çdo ndeshjeje. E kam thënë edhe herë tjetër, që të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, sa i përket qetësisë time dhe lojtarëve individualisht, për të vazhduar punën për ndeshjen tjetër. Futbolli kështu e ka, ndeshjet janë prova që do të jepen për vazhdimësinë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat