Sarri e godet Juventusin

Futboll

Sarri e godet Juventusin

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 14:10
Sarri e godet Juventusin

Në prag të nisjes së aventurës në stolin e Lazios, Maurizio Sarri është rikthyer të flasë, duke komentuar titullin kampion me Juventusin, marrëdhëniet me drejtuesit e klubit bardhezi, por edhe eksperiencën te Chelsea, për të cilën thotë se ka peng që është larguar.

Tekniku shprehet se ka mbetur shumë i zhgënjyer që nuk u festua aspak titulli kampion te Juventusi, teksa thumbon bardhezinjtë, kur u kujton që këtë herë festuan edhe arritjen e vendit të katërt.

Titulli kampion me Juventusin – Të gjithë e jepnin për të sigurt atë titull dhe më vjen shumë keq që në fund të sezonit nuk u organizua asnjë festë. Gjithsecili darkoi në mënyrë private pas atij titulli, ndërsa këtë sezon ishte koha e duhur, pasi i pashë të festonin për arritjen e vendit të katërt.

Marrëdhënia me bardhezinjtë – Në mes të tetorit pata një mbledhje me stafin tim dhe tema e diskutimit ishte kjo: të ndiqnim idetë tona dhe të shkarkoheshim për një muaj, apo të bënim ndonjë kompromis dhe të provonim të fitonim titullin, duke e ditur që do të largoheshim gjithsesi në fund të sezonit. Zgjodhëm rrugën e dytë dhe ia dolëm të fitojmë.

Zërat për një sherr me Nedved pas humbjes ndaj Udineses – Nuk jemi kapur me duar, por ishte një debat normal nga ata që ndodhin pas një ndeshjeje. Sjellja e skuadrës nuk më pëlqeu në atë takim, pasi nuk duhet të ulim vigjilencën edhe me titullin praktikisht të fituar.

Keqardhje për largimin nga Chelsea – kam bërë një gabim shumë të madh që lashë londinezët pas vetëm një sezoni, ku triumfuam edhe në Europa League, megjithatë ishte një vendim i marrë nga dëshira e madhe për t’u rikthyer në Itali. Londinezët janë një klub i madh në të gjitha drejtimet, por në kohën kur isha unë, presidentit nuk i lejohej hyrja në Angli dhe situata ishte pak e ndërlikuar. Më vonë morën shumë futbollistë të rinj, që janë idealë për idetë e mia të lojës, ndaj më vjen keq që u largova aq shpejt.

Rikthimi te Napoli – Më kanë kërkuar informacion dimrin e kaluar, nëse isha gati të rikthehesha, por refuzova, pasi nuk e shoh veten shumë i përshtatshëm për të drejtuar një ekip duke e marrë në mes sezoni. Si Napolit, ashtu edhe klubeve të tjera u thashë se jam gati të rikthehem vetëm në verë. Spallettit i uroj suksese, pasi me De Laurentiis është pak e vështirë të punosh, por arrihen rezultate.

Titulli i humbur me Napolin – Ishim në hotel në Firence, para ndeshjes me Fiorentinën dhe ndoqëm ndeshjen Inter-Juventus. Kur pamë gjithë ato episode dhe si rrodhi ndeshja, futbollistët u dëshpëruan shumë.

Kur po ngjitesha për në dhomë, pashë futbollistët duke qarë nëpër shkallë, pasi kishin kuptuar se me ato episode të diskutueshme, kishte marrë fund një ëndërr.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat