Levante shansi i fundit për Koeman

Futboll

Levante shansi i fundit për Koeman

Më: 26 shtator 2021 Në ora: 11:20
Ronald Koeman

Një humbje në Ligën e Kampionëve dhe dy barazime në kampionat ka regjistruar Barcelona në muajin shtator, duke tronditur ndjeshëm besimin ndaj trajnerit holandez Ronald Koeman, i cili do të luajë sot shansin e fundit për t’u konfirmuar në pankinë.

Në orën 16:15 katalanët do të presin në “Camp Nou” Levanten, në një ndeshje ku fitorja është detyrim, pasi çdo rezultat tjetër do të pasohej me shkarkimin e Koeman dhe njëkohësisht do të shtonte telashet ekonomike të Barçës.

Gjithsesi përveç një organike të limituar, trajneri holandez do të duhet të bëjë llogaritë edhe me një sërë mungesash të rëndësishme, siç janë Aguero, Dembele, Jordi Alba, Braithwaite e Pedri të dëmtuar dhe mesfushori Frenki de Jong i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë në mesjavë.

Lajm i mirë për katalanët është rikthimi i Ansu Fati, që pasi ka lënë pas dëmtimin 10-mujor, tani do të duhet të tregojë se e meriton numrin 10 në fanellë, ndonëse ndaj valencianëve vështirë se do të luajë më shumë se 20-30 minuta.

Një fitore ndaj Levantes do të ngjiste katalanët në kuotën e 12 pikëve, 5 më pak se Reali kryesues, por me një ndeshje më shumë për të rikuperuar, çka do të përkthehej në qetësi dhe konfirmim të trajnerit Koeman, i cili nga ana tjetër mezi pret të shohë grupin e kompletuar në dispozicion të tij.

Çdo rezultat tjetër përveç tre pikëve, do të sillte shkarkimin e menjëhershëm të trajnerit holandez dhe do të bënte që katalanët të kalonin një tjetër javë të trazuar, në pritje për të mësuar emrin e ri në krye të pankinës.

Aktualisht lista e pretendentëve është e gjatë, me teknikun katalan të Belgjikës, Roberto Martinez në krye të saj, ndërsa emra që intrigojnë jo pak drejtuesit, janë edhe ata të Xavit e Andrea Pirlos, dy ish mesfushorë klasi, që janë gati të shkëlqejnë edhe në pankinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat