Laçi nuk ndalet

Futboll

Laçi nuk ndalet

Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 15:55
Laçi nuk ndalet

Laçi pushton dhe Egnatia Arenan. Kurbinasit kalojnë 2-0 falë golave të Dejan Zarubica dhe Saliou Guindo, që sigurojnë fitoren e katërt radhazi për ekipin e Josës, që falë kësaj serie fantastike është ngjitur në radhën e parë të pretendentëve të titull, ndërsa për Egnatian disfata e pestë radhazi konfirmon krizën e thellë në kampin rrogozhinas.

Ishte një ndeshje që u ndez vetëm në fund ajo në Egnatia Arena, me Laçin gjithsesi më kërkues. Guindo shfaqet në zonën kundërshtare në të 13’ dhe ndalet nga Krivanjeva, pretendojnë për 11 metërsh kurbinasit, por loja vazhdon rregullisht.

Në të 19’ është Shtubina që del mirë në krahun e djathtë të sulmit, ndërhyn si duhet Dajsinani. Për të parë rastin e parë të vërtetë në një pjesë të parë të vakët duhet pritur minuta e 39’, kur dhuron emocione një goditje dënimi e ekzekutuar mjeshtërisht nga Mazrekaj, është fantastik në kërcimin e tij që eviton një gol të sigurt Bruno Puja.

Mazrekaj sërish protagonist pas pak minutash, kur rrëzohet në zonë pas një kontrasti me Shtubinën, arbitri e konsideron gjithçka të rregullt, megjithëse përsëritja e pamjeve evidenton se kontakti nuk mungon.

Mbyllet me rrjeta të paprekura pjesa e parë teksa edhe në të dytën Mazrekaj vihet në dukje me një goditje jo dhe aq të rrezikshme që pritet nga Puja. E njëjta shkallë vështirësie edhe goditja e parë e vendasve në portën e Laçit, vjen nga Demir Imeri në minutën e 58’.

Pak më vonë provon edhe Saliu Guindo në gjysëmkthesë, i vëmendshëm gardiani i Egnatias mes shtyllave. Të zotët e shtëpisë tentojnë dhe me Xhekson që vë në provë reflekset e Dajsinanit. Në të 75’, nuk zhgënjen sërish Bruno Puja, i vëmenshëm në tentativën e Zikos, por në goditjen e këndit menjëherë më pas, nuk i lë shans shpëtimi malazezi me goditjen e tij nga brenda zonës.

Laçi gjen më në fund avantazhin, me Zarubicën që prish ekuilibrin në një ndeshje të vështirë. Egnatias i duhet të reagojë dhe hidhet para, por kapet në kundërsulm, pasi në të 88’ kapet zbuluar, Ardit Veliu para portierit shikon me inteligjencë Guindo që mer asistin dhe falënderon për një gol të thjeshtë. 2-0 dhe është goli i knock outit për Egnatian.

Triumfon Laçi që me suksesin e katërt radhazi ngjitet në kuotën e 24 pikëve, po aq sa Vllaznia duke u konfirmuar ndër pretendentët e titullit, ndërsa për skuadrën rrogozhinase disfata e pestë radhazi e treta më trajnerin e ri Zekeria Ramadani zymton humorin e festave të fundvitit.

Abissnet Superiore, Egnatia-Laçi 0-2 (Zarubica 75′, Guindo 88′).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat