Kombëtarja e Shqipërisë nis grumbullimin, Grima: Rinovojmë e forcojmë grupin me elemente të reja

Futboll

Kombëtarja e Shqipërisë nis grumbullimin, Grima: Rinovojmë e forcojmë grupin me elemente të reja

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 14:50
Kombëtarja e Shqipërisë nis grumbullimin, Grima: Rinovojmë e forcojmë grupin me elemente të reja

Kombëtarja shqiptare e femrave ka nisur që prej ditës së martë grumbullimin e parë për këtë vit në qytetin e Ulqinit në Malin e Zi. 23 futbollistet e ftuara në këtë grumbullim janë vënë nën urdhrat e trajnerit Armir Grima dhe kanë zhvilluar seancat e para stërvitore.

Pjesë e këtij grumbullimi janë disa futbolliste të reja, të cilat nuk janë grumbulluar më parë me ekipin kombëtar A. Në një prononcim për Fshf.org, tekniku shqiptar vlerëson këtë grumbullim 10-ditor, duke e konsideruar si mjaft të nevojshëm për të parë gjendjen fizike të vajzave dhe për të punuar me to në kuadër të sfidave të vështira që e presin Shqipërinë e femrave në muajt në vijim.

“Besoj që janë shumë të nevojshme këto grumbullime, edhe për të parë gjendjen fizike të vajzave, edhe për të punuar këto 10 ditë, që është një periudhë e mirë stërvitore. Duke menduar që kemi ndeshje të vështira përpara, do të na shërbejnë shumë. Normalisht që do t’i shërbejnë edhe vajzave tek ekipet e tyre”, – shprehet Grima.

Po ashtu, trajneri i vajzave kuqezi thekson se ky grumbullim do t’i shërbejë stafit për të rinovuar edhe skuadrën me emra të rinj, për ta forcuar më tepër atë, si dhe të ndihmojë edhe vajzat e ekipeve zinxhir për t’u dhënë mundësinë që të jenë pjesë e skuadrës A.

“Po mendojmë që edhe të rinovojmë skuadrën, të afrojmë elemente cilësorë, që të ndihmojmë edhe U-19, me vajzat e U-19 që kemi këtu, normalisht që të jenë edhe pranë ekipit të parë, por meqë kanë aktivitet në prill, besoj se do t’u shërbejë edhe këtyre gocave.

Kështu që, janë të alternuara, për ta forcuar sa më shumë skuadrën dhe për të pasur sa më shumë elemente cilësorë” – vijon ai, teksa flet edhe për ndeshjet e muajit prill, ku Shqipëria do të luajë përballë Belgjikës dhe Armenisë.

“Besoj që kemi ndeshjen e parë të vështirë me Belgjikën dhe ne nuk duhet të përsërisim rezultatin që kemi pasur në Belgjikë, që për mua ishte surprizë negative dhe mendoj se detyrimisht e kemi si detyrë kemi të fitojmë ndaj Armenisë në Armeni dhe mendoj se do të bëhet diçka shumë e mirë nëse arrijmë fitoren me Armeninë”, – përfundon Armir Grima.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat