Barcelona triumfon me përmbysje spektakolare, Yamal humb penalltinë

Futboll

Barcelona triumfon me përmbysje spektakolare, Yamal humb penalltinë

Nga: K.G. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 15:57
Lamine Yamali i mban duart në fytyrë pas humbjes së penalltisë

Barcelona ka shënuar një fitore spektakolare ndaj Villarrealit, duke përmbysur disavantazhin prej dy golash dhe triumfuar me rezultat 3:2, në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit spanjoll.

Dy golat e shpejtë të Villarrealit nuk e demoralizuan Barcelonën në “Camp Nou”, e cila reagoi fuqishëm për të marrë tri pikët.

Mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 5-të, kur Tajon Buchanan përfitoi nga një gabim i madh i Fermin Lopezit, duke marrë topin në hyrje të zonës dhe duke e dërguar fuqishëm në rrjetë për 0:1.

Vetëm dy minuta më vonë, Villarreal dyfishoi epërsinë. Alberto Moleiro shërbeu bukur Tanitoluwa Oluwaseyi, i cili depërtoi në zonë dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në këndin e sipërm të djathtë të portës për 0:2.

Në minutën e 23-të, Barcelona pati mundësinë të rikthehej në lojë, por Lamine Yamal dështoi nga pika e bardhë e penalltisë, pasi goditja e tij përfundoi në shtyllën e djathtë.

Pjesa e dytë solli një përmbysje të jashtëzakonshme të skuadrës katalanase, e cila realizoi tri gola.

Në minutën e 57-të, Gerard Martín ngushtoi rezultatin në 1:2, duke përfituar nga një krosim i shkëlqyer i Pedrit dhe duke shënuar nga afërsia.

Vetëm katër minuta më vonë, Barcelona barazoi shifrat në 2:2. Fermin Lopez u tregua i saktë brenda zonës, duke finalizuar me goditje të menjëhershme një asistim të Lamine Yamalit.

Përmbysja e madhe u kompletua në minutën e 67-të, kur Pau Navarro i Villarrealit devijoi aksidentalisht topin në portën e tij, duke shënuar autogol për rezultatin përfundimtar 3:2.

Barcelona vazhdon të kryesojë La Ligën me 36 pikë, tri më shumë se Real Madridi në vendin e dytë. Ndërkohë, Villarreali renditet në pozitën e nëntë me 15 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat