Struga TL përmbys rezultatin në Shtip dhe blindon pozitën e parë

Futboll

Struga TL përmbys rezultatin në Shtip dhe blindon pozitën e parë

Nga: B.S. Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 15:31
Struga Trim Lum feston

Struga Trim Lum ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Bregallnicës së Shtipit, duke triumfuar me rezultat 2:1, në ndeshjen e vetme të ditës në kampionatin elitar të Maqedonisë së Veriut.

Skuadra strugane arriti të përmbyste disavantazhin dhe të marrë tri pikë të mëdha, duke vazhduar të kryesojë renditjen tabelore.

Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 42-të, kur Ivan Gligorov realizoi një gol të bukur për 1:0.

Megjithatë, reagimi i Strugës TL erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 51-të, Altin Aliji realizoi një gol spektakolar drejtpërdrejt nga goditja e këndit, duke barazuar rezultatin në 1:1.

Kur dukej se ndeshja mund të përfundonte me barazim, në skenë doli Marjan Radeski. Në minutën e 87-të, ai shënoi me kokë pas një aksioni të bukur, duke përmbysur rezultatin në 1:2 dhe duke i siguruar Strugës fitoren.

Struga TL pas 14 javëve ka grumbulluar 32 pikë dhe vazhdon të mbajë vendin e parë në tabelë.

Në anën tjetër, Bregallnica e Shtipit renditet në pozitën e shtatë me 14 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat