Gjilani mbetet duarbosh, ndonëse ishte shumë pranë kthimit me një pikë të vlefshme nga Theranda. Ballkani ka triumfuar me përmbysje në minutat e fundit, duke fituar me rezultat 3:1 ndaj Gjilanit, në ndeshjen e javës së 14-të të Superligës së Kosovës.
Pjesa e dytë ishte shumë më interesante se e para, me katër gola të shënuar dhe një fund dramatik.
Në minutën e 74-t, Armend Thaqi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë epërsinë Gjilanit prej 0:1.
Megjithatë, epërsia e mysafirëve zgjati vetëm gjashtë minuta. Në minutën e 80-të, Albin Berisha realizoi për Ballkanin, duke barazuar shifrat në 1:1.
Situata për Gjilanin u vështirësua edhe më shumë në minutën e 86-të, kur Arbër Potoku u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushë.
Ballkani e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në fund të takimit realizoi edhe dy gola të tjerë, duke siguruar përmbysjen.
Dijar Nikqi shënoi në minutën e 88-të për 2:1, ndërsa Dosso në minutën e 90+4-t vulosi fitoren e vendasve me rezultat 3:1.
Pas kësaj ndeshjeje, Ballkani renditet në vendin e katërt me 22 pikë dhe Gjilani në pozitën e pestë po me aq pikë.