Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve nis punën, mbledhje me Komisionin e Futbollit

Futboll

Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve nis punën, mbledhje me Komisionin e Futbollit

Më: 29 prill 2022 Në ora: 11:16
Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve nis punën, mbledhje me Komisionin e Futbollit

Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve të FSHF i krijuar me vendim të Komitetit Ekzekutiv ka nisur nga puna, duke zhvilluar mbledhjen e parë që pas krijimit. Detyra e këtij komisioni do të jetë së pari gjetja e një formule, e cila të garantojë arritjen e qëllimeve strategjike të FSHF, pra masivizim, edukimi, infrastruktura, futbolli vajzave, mirëqeverisja etj.

Ky komision përbëhet nga z. Abdyl Kuriu (Kryetar), z. Koço Kokëdhima (Anëtar), z.Aldi Topçiu (Anëtar). Mbi bazën e detyrave të caktuara nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, Komisioni i Posaçëm filloi nga puna për studimin dhe rishikimin e rregulloreve/kodeve/udhëzimeve të FSHF-së në çdo nivel, duke u konsultuar me anëtarët dhe palët e interesuara me qëllim hartimin e një reforme në formatin e aktiviteteve futbollistike dhe rregulloreve përkatëse.

Për t’i arritur këto qëllime u propozua të ndiqen këto hapa: Së pari, të studiohen pikat e forta dhe të dobëta të formateve aktuale të garave. Së dyti, të krahasohen formatet aktuale me ato të vendeve më të zhvilluara nga ana e futbollit. Së treti, të hartohet një propozim fillestar për këto kompeticione. Së katërti, (dhe kjo mund të bëhet njëkohësisht) të ketë konsultime me grupet e interesit përpara se t’ia dërgojmë propozimin Komitetit Ekzekutiv.

Gjithashtu, Komisioni zhvilloi një mbledhje të përbashkët me Komisionin e Përhershëm të Futbollit të Femrave. Për Komisionin e Futbollit të Femrave ishin prezent znj. Anila Basha, znj. Herjeta Deliaj dhe znj. Keida Ushtelenca, ndërsa temat e diskutimit në mbledhje ishin këto: ndryshimi i formatit të garës, duke krijuar një Kampionat Kombëtar Femrash me 6 (gjashtë) ekipe; krijimin e një Kampionati Kombëtar Femrash të Kategorisë së Parë; ndryshimi i rregullores së aktivitetit; ndryshimi i rregullores së licencimit, duke vendosur si kriter pasjen e të paktën 2 ekipeve moshash për femra (U13-U15-U17); të rishikohet skema e subvencionimit të futbollit të femrave, duke u përshkallëzuar mes Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë; statusi i lojtareve femra (Amatore ose Profesioniste); nevoja për infrastrukturë të posaçme për vajzat; vëmendje të shtuar për aspektet sociale/psikologjike të vajzave; mbulim mediatik i procesit me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit.

Hapat për mbledhjen e radhës do të jenë zhvillimi i seancave dëgjimore për Klubet e mundshme pjesëmarrëse për Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë si edhe bërja e një studimi/redaktimi i Skemës së Incentivimit të Futbollit të Vajzave;

Sakaq, Komisioni i Posaçëm për Reformimin e Rregulloreve të FSHF zhvilloi edhe një tjetër mbledhjen me Komisionin e Ligave dhe Garave, ku prezent ishin z. Gerald Burba dhe z. Florian Mema.

Ne këtë mbledhje u diskutuan një sërë çështjesh, ku më kryesoret ishin nevoja për rritjen e cilësisë se Kampionateve të Moshave; skema e Futbollit Profesionist (Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë) të riprodhohet në të gjitha qelizat e futbollit të organizuar nga U-13 deri në U-21; nevoja për rritjen e cilësisë se gjykimit; Nevoja për përmirësimin e infrastrukturës; vendosja e kriterit sportiv te licencimit për pasjen e një ekipi U-21.

Mbledhja e radhës e këtij komisioni u caktua për t’u zhvilluar ditën e mërkurë më datë 04.05.2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat