Nga humbja me Sheriffin, te përmbysjet spektakolare dhe kampioni i ri

Futboll

Nga humbja me Sheriffin, te përmbysjet spektakolare dhe kampioni i ri

Më: 29 maj 2022 Në ora: 00:22
Nga humbja me Sheriffin, te përmbysjet spektakolare dhe kampioni i ri

Reali i Madridit u kurorëzua mbret i Europës për të 14 herë në histori, teksa mposhti Liverpoolin me rezultatin minimal 1-0 në finalen e madhe të Parisit, në “Stade de France”.

Ky ishte padyshim një nga sukseset më të bukura dhe njëkohësisht më të vështira të Realit të Madridit, që për të mbërritur deri te ngritja e trofeut, kaloi një rrugë vërtetë mjaft të komplikuar.

Gjithçka nisi nga “San Siro” mbrëmjen e 15 shtatorit, ku vuajti jo pak ndaj Interit, por në fund ia doli të marrë fitoren me rezultatin 0-1 falë një goli të Rodrygos. Vetëm dy javë më vonë, në “Santiago Bernabeu” ishin moldavët e Sheriff Tiraspol ata që bënë surprizën, duke mposhtur të besuarit e Ancelottit me rezultatin 1-2, shkruan Supersporti.

Megjithatë më pas madrilenët morën 4 fitore radhazi, dy ndaj Shakhtar, ndaj Sheriff dhe ndaj Interit, duke e mbyllur fazën e grupeve në krye me 15 pikë nga 18 të mundshmet.

Por ndonëse e mbylli si kokë grupi, Reali nuk pati aspak fat në shortin e 1/8-ave, pasi goglat e vunë përballë PSG-së superfavorite, që kishte në përbërje yje si Messi, Neymar e Kylian Mbappe.

Francezët dominuan totalisht në ndeshjen e parë dhe fituan vetëm 1-0, ndërsa tyri javë më vonë në Madrid kaluan të parët në avantazh, por kur e menduan veten të kualifikuar, pësuan tre gola për 17 minuta nga Karim Benzema dhe mbyllën llogaritë me Championsin.

Ylli francez do të bëhej protagonist absolut edhe në çerekfinale, ku këtë herë Reali gjeti përballë kampionët në fuqi të Europës, Chelsea-n, ndaj të cilëve triumfoi 1-3 në ndeshjen e parë në Londër, falë tripletës së Benzema.

Gjashtë ditë më vonë, londinezët e Tuchel provuan përmbysjen e madhe në Madrid, duke shkuar në avantazh 0-3, por Rodrygo dërgoi ndeshjen në shtesë, aty ku Benzema tha fjalën e tij, duke çuar të besuarit e Ancelottit në gjysmëfinale.

Edhe këtu një tjetër super-sfidë për Los Blancos, që gjetën përballë Manchester City-n e Pep Guardiolës. Këta të fundit triumfuan 4-3 në “Etihad Stadium”, në një ndeshje vërtetë spektakolare dhe ndoshta nga më të bukurat e këtij edicioni të Championsit.

Edhe një javë më vonë në Madrid, “citizens” kaluan në avantazh dhe ishin në finale deri në minutën e 90’, pasi në shtesë Rodrygo shënoi dy gola dhe dërgoi ndeshjen në shtesë, aty ku ishte sërish Benzema që shënoi një tjetër gol dhe dërgoi madrilenët në finale.

Mbrëmja e sotme dhuroi një tjetër sfidë të vështirë dhe të komplikuar për të besuarit e Ancelottit, të cilët gjithsesi treguan se dinë të vuajnë e të godasin në momentin e duhur, falë forcës sulmuese dhe një portieri si Courtois, që ashtu si gjatë gjithë edicionit, konfirmoi se është padyshim protagonist absolut I këtij suksesi.

Nëse i hedh një sy këtij rrugëtimi, mjafton për t’u bindur se ky ka qenë absolutisht Champions-i më i vështirë dhe ndoshta më i bukur i fituar nga Reali i Madridit, që ngjitet në majë të Europës për të 14-ën herë në histori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat