Demneri: Vitin tjetër, dyfishim të ekipeve pjesëmarrëse

Futboll

Demneri: Vitin tjetër, dyfishim të ekipeve pjesëmarrëse

Më: 1 shkurt 2023 Në ora: 18:13
Demneri

Edicioni i katërt i Kupës së Shqipërisë në Futsall u përmbyll me sukses të dielën e kaluar me federatën Shqiptare të Futbollit që ia ka dalë me sukses të popullarizojë këtë disiplinë të veçantë pas një periudhë pauze të shkaktuar edhe nga pandemia Covid-19.

Në këtë turne morën pjesë 8 skuadra me Tiranën që ia doli të triumfojë në finale duke mposhtur me meritë Diamantin, në një atmosferë të shkëlqyer. Për Drejtorin e Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, ky kompeticion i tejkaloi pritshmëritë duke ofruar ndeshje mjaft emocionuese dhe duke tërhequr gjithnjë e më shumë futbolldashës në shkallët e pallateve të sportit.

“Ditën e diel kemi mbyllur me sukses edicionin e katërt të Kupës së Shqipërisë në Futsall. Ia dolëm ta rikthenim këtë kompeticion teksa kishte disa vite që Kupa e Shqipërisë nuk organizohej për shkak të pandemisë apo mosorganizimit të kampionatit të futsallit. Arritëm të organizonim një kompeticion përtej pritshmërive, mjaft të mirë, ku morën pjesë tetë skuadra, shtatë prej të cilave marrin pjesë në kampionatin kombëtar të futsallës dhe kishim një rikthim të një ekipi veteranësh, që u rikthye për të treguar dëshirën dhe për të suportuar rikthimin e këtij sporti me kompeticione kombëtare.

I gjithë ky turne u zhvillua në kompleksin sportiv Goga, ku kushtet ishin mjaft të mira dhe ka pasur një pjesëmarrje të konsiderueshme të spektatorëve, duke kulmuar me finalen e ditës së diel, Tirana-Diamanti, ku pati një numër goxha të madh tifozësh në sallë, në një ndeshje me shumë fair-play me kushtet më të mira e me organizim po aq të mirë nga ana e FSHF-së”, – thotë Demneri në një prononcim për Fshf.org, teksa zbulon se edicioni i ardhshëm pritet të ketë edhe më shumë pjesëmarrje pasi që tani ka skuadra të reja që duan të regjistrohen në kompeticionet e futsallit të organizuara nga FSHF, duke u organizuar edhe në nivel profesionist.

“Do të vazhdojmë fundjavën që vjen me kampionatin, ku aktualisht jemi në javën e 7-të. Pritshmëritë janë goxha të larta dhe pretendojmë që faza e play-off-it të jetë mjaft e fortë dhe presim sa më shumë shikues që ndjekin këtë sport kaq të bukur, siç është futsalli. Interesi në futsall sa vjen dhe shtohet, nga viti në vit kemi edhe më shumë kërkesa për të marrë pjesë dhe ekipet po shkojnë drejt profesionalizmit. Skuadrat kanë dëshirë shumë të madhe për të garuar dhe po bëjnë përgatitje intensive çdo javë, shohim pallatet e sporteve nëpër Shqipëri që janë të mbushura me ekipet e futsallit, që stërviten çdo ditë. Aktualisht që po flasim kemi gjashtë ekipe të reja për sezonin e ardhshëm, që do të thotë sërish një dyfishim skuadrash pjesëmarrëse krahasuar me këtë vit.

Duhet marrë parasysh që vitin e kaluar kishim katër ekipe pjesëmarrëse në edicionin e parë, ndërsa këtë vit kemi 7 skuadra. Vitin tjetër pretendojmë të kemi një numër prej 15 skuadrash pjesëmarrëse në kompeticionet e futsallit të organizuara nga FSHF”, – thekson Drejtori i Futbollit Amator në FSHF.

Gjithashtu, Demneri thotë se po punohet për të evidentuar dhe rritur sa më shumë lojtarë të rinj shqiptarë edhe për ekipin Kombëtar të futsallit. “Një risi tjetër e këtij kompeticioni është fakti që ne nuk kemi lejuar ende federimin e lojtarëve të huaj në mënyrë që të masivizojmë sa më shumë futsallin e të afrojmë sa më shumë të rinj shqiptarë e të prodhojmë sa më shumë lojtarë për ekipin Kombëtar”, – u shpreh Jurgen Demneri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat