Negociatat për rinovim fillojnë te Skënderbeu

Futboll

Negociatat për rinovim fillojnë te Skënderbeu

Më: 30 maj 2023 Në ora: 13:35
Skënderbeu

Skënderbeu nuk mund të qetësohet.

Edhe pse nuk ka shumë që kampionati është mbyllur dhe u ngjitën si kampionë në elitë, koha nuk premton. Klubi ka nisur direkt nga puna për sezonin 2023-2024.

Tani që u kthyen në Superiore, duan që të qëndrojnë gjatë.

Objektivat do të jenë madhorë, ndaj po planifikojnë që të ndërtojnë një skuadër sa më solide.

Nuk do të kursehen në merkaton në hyrje dhe prej kohësh kanë piketuar disa lojtarë, që do të bëjnë çmos që t’i bindin. E megjithatë, do të ketë patjetër edhe rinovime.

Drejtuesit janë duke menduar edhe për zgjatjen e kontratave për lojtarët që janë në skadencë.

Puna ka filluar me lojtarët, të cilët klubi i sheh si të rëndësishëm për sezonin e ri dhe trajneri i ka konsideruar pjesë të projektit të tij. Tre të parët në listën e dëshirave janë Dean Liço, Elvis Prençi dhe Hektor Idrizaj, të cilëve u skadon marrëveshja në fund të qershorit. Për të mos rrezikuar që të dalin të lirë në treg, bardhekuqtë janë mobilizuar.

Vetë Takaj, por edhe Gvozdenoviç nuk kanë dëshirë që të humbasin tri pikat e rëndësishme të ekipit si në mbrojtje ashtu edhe në mesin e fushës. Direkt kanë filluar me të tre lojtarët kontaktet e para për zgjatjen e bashkëpunimit. Pritet që në ditët në vijim të ketë takim mes palëve për të diskutuar detajet dhe kushtet e reja, që klubi është i predispozuar për t’i përmbushur.

Pjesë e listës së lojtarëve që kanë një skadencë kontrate në fund të muajit të ardhshëm është edhe Oltion Rapa, Gresild Lika dhe Shkëlzen Ruçi. Edhe këta futbollistë kanë qenë të rëndësishëm për Skënderbeun në këtë sezon që sapo u mbyll.

Nuk dihet me saktësi nëse kanë filluar bisedimet me tre lojtarët e tjerë, ndërsa burime në klub bëjnë me dije se janë në kontakt të vazhdueshëm. Jo vetëm me ta, por edhe Abdul Temitope.

Situata e afrikanit është pak më e vështirë për shkak të kërkesave të lojtarit dhe dëshirës së tij për të ndryshuar ambient. Pavarësisht se mes drejtuesve dhe menaxherit ka pasur bisedime, vetë lojtari ka kërkuar kohë për të parë ofertat që do të vijnë në drejtim të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat