Një sulmues mban peng të ardhmen e Interit

Futboll

Një sulmues mban peng të ardhmen e Interit

Më: 31 maj 2023 Në ora: 00:12
Xheko e Martinez

Interi ka filluar të bëhet gati për ndeshjen e fundit të Serisë A, finalen e Ligës së Kampioneve, por edhe për sezonin e ardhshëm.

Drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje për të planifikuar sezonin tjetër, ku dilemat më të mëdha do të jenë për sulmin e zikaltërve.

Kthimi i Lukakut te Çelsi duket i sigurt, por tashmë edhe ai që u afrua në vend të belgut, Edin Xheko, nuk e ka të sigurt qëndrimin,.

Deri pak kohë më parë mendohej se Xheko do të hidhte firmën në kontratë, ndonëse me shifra më të ulëta në krahasim me 6,5 milionë euro neto që përfiton aktualisht.

Por lojtari nuk ka hedhur të zezën mbi të bardhë dhe tani mban peng merkaton e Interit.

Shkak është bërë një ofertë që mësohet se ai ka marrë nga Arabia Saudite.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Xheko po mendohet nëse të vazhdojë me Interin apo të pranojë propozimin që ka mbërritur në adresë të tij, pasi përpara ka një kontratë dyvjeçare me shifra shumë më të larta se sa do të përfitonte në Serinë A.

Një ofertë tunduese, që për momentin po mban peng të ardhmen e sulmit të Interit, me Marotën që do të duhet të gjejë një tjetër qendërsulmues për të vendosur përkrah Lautaros në edicionin e ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat