Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” do t’i nënshtrohet rinovimit të plotë

Futboll

Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” do t’i nënshtrohet rinovimit të plotë

Më: 24 nëntor 2023 Në ora: 20:35
Foto ilustrim

Federata e Futbollit e Kosovës dëshiron të njoftojë opinionin publik në lidhje me situatën e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe vendimin e UEFA-s për mos zhvillimin e ndeshjeve në këtë stadium.

Duke pasur parasysh situatën e krijuar të fushës, Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Sportit, do të bëjnë renovimin e plotë të fushës në këtë stadium, investim ky i cili do të kryhet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Presidenti Agim Ademi dhe ministri Hajrulla Çeku janë dakorduar për ta transformuar tapetin e këtij stadiumi në fushë hibride të nivelit më të lartë, teksa do të fillohet me punë që nga baza e fushës: drenazhimi, sistemi i ri i ujitjes si dhe për herë të parë kjo fushë do të ketë edhe sistemin e ngrohjes.

Ky projekt do të sigurojë një fushë moderne, sikur në të gjitha arenat botërore të futbollit, e të cilën e meriton stadiumi ‘Fadil Vokrri’ dhe të cilën e ka kërkuar edhe UEFA.

Pra, nga tani e deri në rinovimin e plotë, aktiviteti i futbollit në stadiumin “Fadil Vokrri” do të pushojë. Si rrjedhojë edhe ndeshjet miqësore të Kombëtares, të muajit mars, do të zhvillohen jashtë vendit.

Megjithatë, e sigurojmë opinionin se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i gatshëm për të mirëpritur ekipet kombëtare dhe klubet nga edicioni i ardhshëm.

Me këtë rast shprehim keqardhje që Ballkani ndeshjen kundër Viktoria Plzen në Ligën e Konferencës do të jetë i detyruar ta luajë në ‘Air Albania’, por jemi të bindur se në të ardhmen më nuk do të ketë nevojë që klubet dhe kombëtarja jonë të luajnë larg tifozëve të vet, ngase përveç investimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, tashmë kanë filluar edhe projektet e tjera, siç është stadiumi i qytetit në Gjilan dhe stadiumi ‘Adem Jashari”, derisa në të ardhmen e afërt pritet të realizohen edhe projekte tjera nga ana e ministrisë.

Do theksuar se deri te kjo situatë kemi ardhur për shkak të ngarkesës së madhe të kësaj fushe, ngase “Fadil Vokrri” është stadiumi i vetëm që është i kategorizuar nga UEFA. Meqenëse nuk kemi pasur një stadium tjetër të standardeve të tilla, në këtë stadium është dashur të luhen të gjitha ndeshjet dhe atë pa pushim.

Ndonëse kohët e fundit e kemi pasur të angazhuar edhe ekspertin nga UEFA me këshilla dhe ndihmë për mirëmbajtjen e fushës, si dhe kemi angazhuar një kompani të specializuar, kushtet atmosferike që kanë mbizotëruar në vendin tonë që nga ndeshja me Rumaninë kanë bërë që fusha të dëmtohet në masë të madhe. Si pasojë e drezhanimit të dobët por edhe ngarkesës me ndeshje, ka qenë e pamundur që fusha të kthehet në gjendje optimale, ndonëse disa herë falë përkushtimit të stafit të mirëmbajtjes së fushës është arritur të rikthehet bari dhe fusha të jetë e gatshme për lojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat