Red Bulli superfuqi, ja pse mbetet favorit edhe për 2024-ën

Futboll

Red Bulli superfuqi, ja pse mbetet favorit edhe për 2024-ën

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 11:37
Red Bull

Formula magjike që e bën Red Bullin të fluturojë nuk është e lehtë për t’u kopjuar, pasi Ferrari, Mercedes, MekLaren dhe Aston Martin do ta kishin bërë tashmë. Makina RB19 dominoi në mënyrë të frikshme sezonin e sapo mbaruar (21 fitore në 22 gara, i vetmi që e prishi serinë e triumfeve ishte Sainz në Singapor).

Red Bulli është njëvendëshja e vetme që arrin të shpreh potencialin e saj maksimal si në kualifikuese ashtu edhe në garë, duke u treguar e shpejtë në çdo cirkuit dhe në çdo rrethanë. Falë një ngarkese të madhe aerodinamike dhe ekuilibrit të përsosur mekanik të pezullimeve Red Bulli ishte i pakapshëm në pistë.

Bilanci i makinës së projektuar nga Adrian Newey është sekreti i vërtetë i triumfeve të dy sezoneve të fundit. Askush si gjeniu anglez nuk ishte në gjendje të interpretonte më së miri rregulloren e re teknike që hyri në fuqi në vitin 2022, e cila shënoi një revolucion, me rikthimin e efektit tokësor tashmë të eksperimentuar në Formula 1 mes viteve ’70 dhe ’80.

KËRCIMET – Në praktikë, ajri që kalon poshtë pjesës së poshtme të makinës përdoret tani për të krijuar forcë poshtë dhe për të përmirësuar performancën në kthesa. Diçka e thjeshtë vetëm me fjalë.

Në realitet, që në fillim inxhinierët u ndeshën me problemin e kërcimit me shpejtësi të lartë të shkaktuar nga afërsia e makinës me asfaltin, e ashtuquajtura “porpoising”.

Sa më shumë të ulet konfigurimin, në përpjekje për të optimizuar efektin e tokës, aq më shumë rrezikon të shfaqet ky fenomen.

Një shqetësim që përforcohet në pistat e valëzuara siç janë cirkuitët qytetas. Red Bulli bëri diferencën në menaxhimin e kësaj vështirësie, duke reduktuar ndikimin negativ në performancë, ndryshe nga Mercedesi dhe Ferrari.

SEKRETI – Nuk është rastësi që skuadra e Milton Keynes qëndroi në majë edhe kur u ndryshuan rregulloret në vitin 2022, duke filluar që nga gara në Spa, për ta vijuar dominimin dhe këtë sezon.

Ishte e lehtë të gjeje kundërmasa duke filluar nga një projekt tashmë i suksesshëm. RB18 dhe RB19 kishin të përbashkët menaxhimin e shkëlqyeshëm të gomave si në kualifikuese, kur gomat duhet të ngrohen menjëherë, ashtu edhe gjatë garave, kur është e nevojshme të qëndroni brenda një hapësire optimale të temperaturës për të shmangur degradimin e tepërt.

Ferrari arriti objektivin e parë por jo të dytin. Ekipet e tjera luhateshin në një drejtim ose në një tjetër, por asnjë nuk ka arritur nivelin e Red Bullit.

Performanca e vazhdueshme e RB19 është përkthyer në lehtësi më të madhe drejtimi, me sjellje homogjene kur pilotët drejtojnë në kthesa të ngadalta dhe të shpejta.

Kjo është arsyeja pse në vitin 2024, me rregulla të pandryshuara, Maks Vershtapen do të jetë përsëri favoriti absolut, edhe pse ndjekësit duhet ti minimizojnë diferencat, të paktën kështu shpresojnë te Mercedesi dhe Ferrari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat