Morata: Isha një hap larg Romës

Futboll

Morata: Isha një hap larg Romës

Më: 21 mars 2024 Në ora: 11:47
Alvaro Morata

Alvaro Morata është i lidhur ngushtë me Italinë, jo vetëm për faktin se është martuar me venecianen Alice Campello. Verën e kaluar ai ishte një hap larg rikthimit në Serie A, pas aventurës së dyfishtë me Juventusin. Nuk është e pamundur që të luajë sërish në Itali:

“Epo, me mua nuk i dihet kurrë, nuk kam kurrë një verë të qetë. Unë jam mirë tek Atletico, e njëjta gjë vlen edhe për familjen time në Madrid. Sidoqoftë, nuk jam më 23-24 vjeç dhe do të duhet të shohim se çfarë idesh ka klubi për mua. Le të themi se për momentin nuk di asgjë”.

Vetëm pak muaj më parë shumë e donin atë; nga Juve tek Interi, duke kaluar nga Milani dhe mbi të gjitha Roma: “Isha në një situatë të veçantë, me skadimin e kontratës tek Atletico Madridi. Rinovova duke ndryshuar ndjeshëm kushtet e mia ekonomike për shkak të çështjeve të ‘fair play financiar’ dhe faturës së pagave të klubit, si dhe duke ndryshuar kushtet për një shitje të mundshme.

Më kontaktuan nga Milani, më pas më thirrën ish-trajnerët, sepse kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Allegri më stërviti. E njëjta gjë vlen edhe për Mourinhon, i cili më mundësoi debutimin tim në Madrid. Më pëlqeu ideja për të shkuar te Roma dhe të luaja me Paulon (Dybala), në një klub dhe qytet plot pasion, ku futbolli përjetohet si në Amerikën e Jugut.

Me Inzaghin njihemi prej vitesh, jemi takuar edhe me pushime. Ai është person i pabesueshëm dhe trajner spektakolar, me të cilin është kënaqësi të kalosh kohë, të jesh bashkë, të bisedosh. Simone është dikush që transmeton shumë energji pozitive”.

Në fund, megjithatë, ai mbeti në Madrid në krahun e Atleticos, kur marrëdhëniet me Simeone dukej se ishin determinuese: “Kisha vështirësi kontraktuale me klubet italiane, por ishte një bisedë me Simeone që ndryshoi gjithçka. Dhe këtu dua të them një gjë: shumë njerëz mendojnë dhe thonë se ne të dy nuk shkonim mirë.

Kjo nuk është e vërtetë, kishim një marrëdhënie të shkëlqyer. Kjo u përmirësua verën e kaluar, sepse u njohëm më mirë në nivel personal. Ne bëmë një hap përpara për sa i përket mirëkuptimit të ndërsjellë, kjo na ndihmoi të dyve. Unë kurrë nuk kam luajtur aq shumë ndeshje si titullar për Atleticon sa këtë sezon”.

Lidhja e tij me Italinë, megjithatë, nuk e pengoi atë të eliminonte Interin nga Champions League: “Ne ishim duke u përgatitur me javë të tëra për këtë ballafaqim. Simeone na tregoi shumë video me shumë gjëra të mira që mund të bëjë Interi. Të gjithë i konsideruam ato.

Vitin e kaluar, zikaltrit mund ta kishin fituar Champions League, këtë vit, nëse nuk ndodhin katastrofa, do të fitojnë Serie A. Në ndeshjen e parë na lanë të gjallë, në kthim luajtëm mrekullueshëm. Dhe kështu shkuam te penalltitë, të cilat janë edhe fat”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat