Klubi merr vendimin për trajnerin gjatë kësaj jave

Futboll

Klubi merr vendimin për trajnerin gjatë kësaj jave

Më: 28 maj 2024 Në ora: 19:46
Erik ten Hag,

Trajneri i Mançester Junajtid, Erik ten Hag, thuhet se ka mbështetjen e një numri figurash kyçe në klub mes pasigurisë nëse ai do të qëndrojë në “Old Trafford” përtej kësaj vere. Të premten, “The Guardian” raportonte se shefat e klubit kishin marrë vendimin për të shkarkuar Ten Hagun pas finales së Kupës FA të së shtunës, pas renditjes në vendin e tetë në Premier Ligë, edhe nëse Junajtid do të arrinte që të mposhtte rivalët e Mançester Sitit në “Uembli”.

“Djajtë” shkëlqyen me performancën e tyre ndoshta më të mirë të sezonit duke fituar 2-1 dhe i dhuruar Ten Hagut trofeun e tij të dytë në po aq sezone në “Old Trafford”. Pronarët e rinj të “INEOS”, të kryesuar nga Sër Xhim Retklif dhe Sër Dejv Brailsford, tani po bëjnë një analizë për të përcaktuar të ardhmen e tij dhe një numër figurash të shquara të klubit duan që Ten Hag të qëndrojë, sipas “The Independent”.

Duket se do të jetë një pritje me ankth për holandezin pasi Junajtid mendohet se ka folur tashmë me disa nga kandidatët e mundshëm që mund ta zëvendësojnë. Drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se shkarkimi i 54- vjeçarit do të ishte një veprim jopopullor për tifozët pas fitores së Kupës FA, e cila i siguroi atyre edhe një vend në Ligën e Europës. Kuptohet se struktura e re e klubit nuk është e “përçarë” nëse do të mbështesin Ten Hagun, por ata janë të vendosur të shqyrtojnë të gjitha opsionet përpara se të marrin një vendim këtë javë nëse ai duhet të qëndrojë apo jo.

Kur u pyet për të ardhmen e tij pas ndeshjes, Ten Hag tha: “Unë nuk mendoj për këtë.

Unë jam në një projekt dhe ne jemi pikërisht aty ku duam të jemi. Ne po ndërtojmë një ekip dhe kur unë e mora përsipër, ishte një rrëmujë.

Dy trofe në dy vite nuk është keq. Ne duhet të bëjmë më mirë dhe nëse ata s’më duan më, atëherë unë do të shkoj kudo tjetër për të fituar trofe, sepse kjo është ajo që kam bërë gjatë gjithë karrierës sime”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat