Futbollisti shqiptar Brajan Gruda po kalon një periudhë fantastike në karrierën e tij.
Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me kombëtaren e Gjermanisë, ku realizoi dy gola dhe regjistroi dy asistime në Ligën e Kombeve, futbollisti po vazhdon të shkëlqejë edhe në Bundesliga.
Gruda ishte protagonist në fitoren e thellë të RB Leipzigut në udhëtim ndaj Union Berlinit, me rezultat 5:1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të të kampionatit gjerman.
Futbollisti shqiptar kontribuoi me një gol dhe një asistim, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të skuadrës mysafire.
Sipas mediumit gjerman “Kicker”, në minutën e 50-të, pas një goditjeje nga këndi, Nusa tentoi të shënonte, por Haberer arriti ta largonte topin pak para vijës së portës.
RB Leipzig vazhdoi aksionin përmes Brajan Grudës, i cili asistoi te Romulo në hyrje të zonës. Sulmuesi brazilian goditi menjëherë, ndërsa topi u devijua nga Aebischer dhe përfundoi në rrjetë për rezultatin 1:2.
Në minutën e 72-të, Gruda realizoi edhe vetë. Futbollisti shqiptar pësoi një goditje në këmbë, por loja vazhdoi. Nkunku arriti ta mbajë topin në krahun e majtë të zonës dhe pasoi te Gruda, i cili, pavarësisht dhimbjeve, e dërgoi topin në rrjetë për 1:3.
Golat e tjerë për Leipzigun i realizuan Nusa nga penalltia në minutën e 18-të, Reitz në minutën e 76-të dhe Baku (89’).
Golin e vetëm për vendasit e shënoi Aebischer, në minutën e 41-të.
Pas një topi të ngritur nga Kastriot Imeri në zonë, Raum e largoi me kokë, por topi përfundoi te Aebischer, i cili realizoi për 1:1.
Gruda e nisi ndeshjen si titullar, por u ndëshkua me karton të verdhë që në minutën e gjashtë.
Ndërkohë, Kastriot Imeri ishte gjithashtu në formacionin startues të Union Berlinit dhe luajti 61 minuta.
Leipzig në garë për kreun, Union Berlini në krizë
Pas kësaj fitoreje, RB Leipzig renditet në vendin e katërt me 21 pikë, duke vazhduar garën për pozitat e larta në Bundesliga.
Në anën tjetër, Union Berlini po kalon një periudhë të vështirë, duke u renditur në vendin e 16-të me vetëm shtatë pikë.