Futbollisti Dren Zeqiri është prej futbollistëve më të mirë të gjeneratës së re.
Klubi më i madh në vendin tonë, Prishtina, shpreh fjalë miradije për futbollistin dhe paraqitjen e mirë në petkun e kombëtares së Kosovës.
“Futbollistët e FC Prishtinës kanë vazhduar me paraqitje të suksesshme me fanellën e Kosovës U21 edhe në ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut U21, e zhvilluar dje.
Dren Zeqiri ishte kapiten i ekipit dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë ndeshjes, duke dëshmuar edhe një herë cilësitë e tij si lider. Ndërkohë, në formacionin startues u paraqit edhe Arjol Bllaca, i cili zhvilloi një tjetër ndeshje të mirë në fanellën e Dardanëve të rinj.
Paraqitje në këtë sfidë pati edhe Lorik Mehmeti, i cili u inkuadrua nga banka rezervë dhe luajti 25 minuta, duke dhënë kontributin e tij për ekipin.
Të tre futbollistët tanë lanë përshtypje pozitive gjatë këtij grumbullimi me Kosovën U21, duke qenë pjesë e ndeshjeve miqësore ndaj Turqisë U21 dhe Luksemburgut U21. Këto paraqitje përbëjnë një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e tyre, duke fituar përvojë të vlefshme në arenën ndërkombëtare”, thuhet nga FC Prishtina.