Transferimi i Folarin Balogun nga Monaco tek Evertoni dështoi në momentet e fundit të merkatos, pavarësisht se marrëveshja mes dy klubeve ishte arritur. CEO-ja i Monaco-s, Thiago Scuro, ka treguar prapaskenat e një operacioni që u komplikua pas kontrolleve mjekësore të sulmuesit amerikan.
“Ne kishim një marrëveshje përfundimtare me Evertonin. Balogun udhëtoi për kontrollet mjekësore dhe firmosjen e kontratës. Në orën 16:00 ishte në Liverpool dhe gjithçka po shkonte mirë, por rreth orës 19:00 Evertoni na kontaktoi duke shprehur shqetësime për rezultatet e kontrolleve”, shpjegoi Scuro.
Sipas tij, u deshën rreth dy ose tri orë për të analizuar vlerësimet, konsultuar mjekë të tjerë dhe rishikuar rezonancat. Rreth orës 22:00, Evertoni arriti në përfundimin se nuk kishte asnjë problem dhe ishte gati të vazhdonte me firmosjen.
Klubet tentuan ta përfundonin transferimin në limitet e afatit. Premier League lejon kërkesa për kohë shtesë në raste të tilla dhe kërkesa u bë vetëm pesë minuta para mbylljes së merkatos në Angli.
“Unë firmosa kontratën dhe Evertoni bëri të njëjtën gjë, por në momentin e fundit lojtari vendosi të mos firmoste”, zbuloi drejtuesi i Monaco-s.
Arsyeja ishte pikërisht mënyra se si Balogun e përjetoi dyshimin e klubit anglez për gjendjen e tij fizike.
“Pozicioni i Balogun-it ishte i qartë: nuk ndihej mirë me mënyrën se si ishte trajtuar. Nuk kishte asnjë problem fizik dhe për këtë arsye nuk ndiente se mund të firmoste një kontratë me Evertonin”, përfundoi Scuro.